Kosova gjatë ditëve të fundit ka filluar të shënojë rritje alarmanete të rasteve me COVID-19, ku vetëm sot janë konfirmuar 2708 raste dhe një viktimë.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konfirmuar se pothuajse të gjitha këto raste janë të variantit Omicron, i cili përhapet jashtëzakonisht shpejt, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Qeveria ka bërë thirrje për vaksinim, si mjetin më të fortë për tu mbrojtur nga COVID-19.
“Gjatë ditëve të fundit ka rritje të ndjeshme të rasteve pozitive të Covid-19 në vendin tonë.Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konfirmuar se pothuajse të gjitha këto raste janë të variantit Omicron, i cili përhapet jashtëzakonisht shpejt.U bëjmë thirrje që të mos nënvlerësohet varianti Omicron”.
“Të gjitha informatat nga vendet e tjera dëshmojnë qartë, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete.Si gjithmonë, mjeti më i fortë dhe më efikas për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët përreth nesh, mbetet vaksinimi masiv. Prandaj vaksinohuni sa më shpejt dhe, në veçanti, merrni dozën përforcuese posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Qeveria gjithashtu ka paralajmëruar masa të reja në menyrë që të frenojë përhapjen e Omicron.
“Ky variant i ri kërkon edhe përditësim të masave, me qëllim kryesor ngadalësimin e rritjes së rasteve. Kështu u tha edhe në mbledhjen e sotme të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19”.
“Masat kanë për qëllim primar ruajtjen e shëndetit si dhe sigurimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, që të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar”, thotë Qeveria. /Reporteri.net/