Kthesa më e madhe në historinë e Evropës ka qenë demonstrata e vitit 1981, kështu është thënë në organizimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan me rastin e përvjetorit të 37-të të demonstratave studentore të vitit 1981.
Rikujtimin për ngjarjet e vitit 1981, UKZ i ka sjellë përmes dy formave, përkatësisht përmes dy pjesëve. Në pjesën e parë kanë referuar bartësit e këtyre ngjarjeve, ndërkaq në pjesën e dytë është promovuar libri “Ilegal viteve 70” të autorit Gani Sylaj.
Me këtë rast nikoqiri i këtij organizimi, Rektori i Universitetit publik “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi, i cli ishte pjesë e nismës së lëvizjes studentor 81, pasi përshëndeti të pranishmit tha se, pikërisht viti i kthesës historike 1981-shi, na ka mbledhur sot për të rikujtuar ato ngjarje. Ai tha se viti 1981 ishte vendimtar për lirinë e Kosovës, ajo ngjarje nganjëherë nuk mund as të përkufizohet dhe se në atë periudhë nuk është fol shumë por është vepru shumë, andaj ajo kohë i ka hap rrugën proceseve politike në vendin tonë, ka thënë mes tjerash Rektori Kosumi.
Referuesi i pare, në këtë shënim rikujtues Xhevat Ademi, krahu i djathtë i lëvizjes politike dhe kombëtare, e cila ideoi dhe realizoi ngjarjet e kthesës historike të vitit 1981, aktualisht deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, vlerësoi se Pranvera e madhe e 1981-shit, ishte dhe vazhdon të mbetet frymëzim për gjithë shqiptarë.
Hydajet Hyseni, njëri ndër studentet e 81 dhe atdhetar i çështjes shqiptare foli për përpjekjet e studentëve dhe të luftarëve shqiptar të ilegales për çështjen shqiptare duke e vlerësuar se demonstratat e 81 ishin shkëndija e fortë e ngritjes së popullit shqiptar për liri.
Më pas Vlerësina Islami dhe Rexhep Brahimi studentë të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, i cili me krenari e mban emrin e korifeut të lëvizjes politike dhe kombëtare në Kosovë, të viteve ’70, Kadri Zeka, janë paraqitur me një recital.
Në ndërkohë me kumtesën e tij për librin, “Ilegal viteve 70” të autorit Gani Sylaj, është paraqitur profesor Fehari Ramadani, i cili ka thënë se ky libër është një përmbledhje e ngjarjeve të viteve të 70-ta, ku një pjesë e mirë e veprimtarëve të çështjes kombëtare vepronin ilegalisht. Jo vetëm për të mbajtur gjallë frymën patriotike, por edhe për të çliruar territoret shqiptare nën Jugosllavi.
Përshtypjet e tij për librin i ka paraqitur profesori Merxhan Avdyli, sipas të cilit në librin “Ilegal viteve 70” autori Gani Sylaj, ka pasqyruar rrugën me plot peripeci për të ardhur pikërisht deri te viti 1981. “Libri “Ilegal viteve 70”, është libri i cili shkon përtej kujtimeve të stilit ‘na ishte njëherë’ apo ‘e mbaj mend si sot’. Ai merr për bazë analizën e veprimtarisë politike dhe atdhetare. Ky libër do të jetë padyshim një nga referencat e hartimit të çfarëdo monografie ilegale në përgjithësi dhe referencë tejet relevante për historiografinë shqiptare
Ndërsa vet autori Gani Sylaj ka thënë se ndihet i privilegjuar që ndodhet në Gjilan, në Gjilanin që ka vepru më shumë se në Drenicë, sepse siç ka thënë autori Sylaj, këtu ishte çerdhja e lëvizjes ilegale.
“Këtu ishin ata burra, që mbajtën peshën e ilegales dhe nuk është e rastësishme që me rastin e burgosjeve e dënimeve pjesa e Gjilanit është dënuar në mënyrë të veçantë nga fakti se kishte aq shumë veprimtarë saqë nuk mund të mbahej në Prishtinë një gjyq për tërë grupin”, ka thënë ai, duke shtuar se sa herë që ka ardhur në Gjilan, këtu ka pa djem dhe vajza që e vazhdojnë atë rrugë, sepse është e vetmja rrugë për shpëtimin e këtij kombi.
Në këtë organizim të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan me rastin e përvjetorit të 37-të të demonstratave studentore të vitit 1981, kanë marrë pjesë personalitete të jetës politike publike në Kosovë si dhe shumë veprimtar të të çështjes kombëtare të vendit tonë.