Ministri i Shëndetësisë në detyrë Arben Vitia thotë se aktualisht Kosova ka një situatë të kontrolluar sa i përket Covid-19. Por sipas tij, një pakujdesi e vogël mund të kushtojë me humbje të mëdha të jetëve.
Në këtë mënyrë, ai tha se në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kanë marrë vendim për vazhdimin e kufizimit të lëvizjes në vend.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pasur rritje të numrit të të infektuarve dhe IKSHPK-ja ka sjellë rekomandimet me kërkesën për masa më rigoroze”, tha Vitia.
“Prej mbrëmë në mesnatë për secilën komunë hyjnë në fuqi masat e kufizimit të lëvizjes”, tha ai.
Sipas ministrit në detyrë, në ditët në vijim do të jepen detaje lidhur me kufizimin e lëvizjes.
“Nga sonte në secilën komunë hyjnë në fuqi masat për ndalim-qarkullim, ato që kanë qenë deri sot. Ju njoftoj se këto masa që do t’i vazhdojmë do të jenë në fuqi deri në vendimin e radhës. Masat tjera do të bëhen publike dhe do të hyjnë në fuqi brenda 2 ose 3 dite”, shtoi ai.
Ai tha se Kosova po hyn në javët kur pritet që Covid-19 të shënojë pikun.