Trajneri i mirënjohur kosovar, Rafet Prekazi e ka zbuluar në emisionin “Favorit” në T7 një rast të habitshëm që e kishte dëgjuar nga dora e parë në kohën sa ishte drejtor sportiv i Gjilanit.
Trajneri mitrovicas thotë se nuk e kishte njohur mirë qytetin e Gjilanit derisa e përjetoi vetë ndjenjën e të qenit pjesë e “Derbit të Anamoravës”, shkruan “Gazeta Express”.
Ai e kujtoi në “Favorit” një rast kur një biznesmen i kishte treguar se nuk flet me muaj të tërë me vëllain e tij kur të përballen Drita me Gjilanin.
“Qe shumë vite, Drita dhe Gjilani, që vijnë prej të njëjtit qytet, janë hijeshia e futbollit. Ka goxha do vite që stadiumi është përplot, simpatizuesit njihen mes vete. Unë kam shkuar vonë si drejtor sportiv. Në katër lojë në atë sezon, Drita nuk na kishte mposhtur asnjëherë në atë edicion. Ajo lojë pritet me kërshëri në Gjilan, në qytet bëhet atmosferë e jashtëzakonshme”, deklaroi fillimisht Prekazi.
“Gjilanin nuk e kam njohur mirë, t’ua them të drejtën. Por, aq më kanë pëlqyer njerëzit në atë qytet, pa marrë parasysh që unë isha në klubin e Gjilanit, edhe te Drita kam shumë miq. Në përgjithësi në Gjilan për këtë ndeshje është atmosferë e jashtëzakonshme si të ishte diku në nivel të lartë evropian”, u shpreh tutje ish-futbollisti i njohur i kohëve të arta të futbollit kosovar.
“Çka është interesant, njëri prej vëllezërve biznesmenë tha: unë s’foli qe një muaj para ndeshjes dhe një muaj pas ndeshjes me vëllain tim të jetës sepse ai është me Dritën e unë me Gjilanin. Atë e kam ndier në Gjilan, e kam parë dhe e kam përjetuar vetë. Organizimi është i jashtëzakonshëm”, përfundoi Prekazi.