Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, ka thënë se dështimi për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, shton rreziqet për trazira në veriun e Kosovës, që do të mund të dëmtonin seriozisht të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet palëve.
“Ajo që me shqetëson mua më shumë dhe mendoj se duhet të shqetësojë udhëheqësit e të dyja vendeve, është rritja e mundësisë dhe rreziku i mundshëm për trazira të dhunshme në veriun e Kosovës, nëse nuk ka një marrëveshje. Shkalla e integrimit të veriut të Kosovës në kuadrin institucional të Kosovës që u zhvillua pas marrëveshjes së Brukselit, është kthyer shumë prapa përgjatë vitit të kaluar, tani jemi thuajse në pikën fillestare dhe kjo nuk është situatë e qëndrueshme në asnjë variant. Unë isha në Kosovë dhe në atë pjesë të Kosovës gjithashtu në muajin janar dhe mendimi i përgjithshëm i banorëve vendas dhe mbikëqyrësve ndërkombëtarë ishte se veriu i Kosovës ishte shumë afër konfliktit të dhunshëm disa herë përgjatë vitit të kaluar, kështu që ky është shqetësimi im. Nëse nuk ka marrëveshje mendoj se rreziku atje mund të shfaqet sërish dhe nëse ka dhunë në atë pjesë mund të dëmtohet seriozisht e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë – Serbi”, ka thënë ai.
Prelec tha se nuk pret ndonjë nënshkrim marrëveshjeje në takimin e së shtunës në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, por shpreson në një përparim drejt zbatimit të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.
Ai ka thënë në një intervistë me Zërin e Amerikës tha se Kosova mund të dalë fituese me këtë plani, ndërsa i cilësoi të paqëndrueshme shqetësimet se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të shndërrohet në një mekanizëm të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë./GazetaSinjali/