Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka prezantuar premtimet e tij kryesore për fshatin Livoç i Poshtëm, duke vënë theksin në zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e këtij lokaliteti.
Në mesin e projekteve që Ismajli ka paralajmëruar është ndërtimi i shkollës fillore të mesme të ulët “Dëshmorët e Kombit”, e cila do të ofrojë kushte më të mira për arsimin e fëmijëve të fshatit.
Po ashtu, ai ka theksuar se do të ketë revidim të kanalizimit ekzistues, investime në rregullimin e trotuareve dhe ujësjellësit, si dhe pastrim dhe rregullim të shtratit të lumit, për të përmirësuar infrastrukturën dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ismajli ka theksuar se këto projekte janë pjesë e planit të tij të gjerë për zhvillimin e komunës dhe barazinë e investimeve në të gjitha vendbanimet e Gjilanit.
“Bashkë për fitore dhe për një Gjilan përtej dallimeve politike – një Gjilan të punës dhe zhvillimit,” ka deklaruar Ismajli.