Sot ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Pas kësaj arritje, Presidenca Çeke i ka bërë thirrje Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj për përmbushjen e kushteve të liberalizimit të vizave.
“Me miratimin e mandatit të tij në mbledhjen e ambasadorëve sot, Këshilli ka bërë një hap të rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave me Kosovën. Këshilli tani do të nisë negociatat me Parlamentin Evropian dhe Komisionin për të finalizuar tekstin. Presidenca çeke mirëpret marrëveshjen e arritur në nivel Këshilli dhe vlerëson përpjekjet e të gjithë aktorëve relevantë për arritjen e këtij rezultati. Ne lavdërojmë përparimin e rëndësishëm të bërë në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga Kosova, duke përfshirë në fushat e sigurisë së dokumenteve, menaxhimit të kufijve dhe migracionit, rendit dhe sigurisë publike dhe të drejtave themelore në lidhje me lirinë e lëvizjes. I bëjmë thirrje Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj për të ruajtur përmbushjen e kushteve të liberalizimit të vizave”, ka thënë përfaqësuesja e përhershme e Republikës Çeke në BE, Edita Hrda në një deklaratë për Tëvë1.
Po ashtu nga Presidenca Çeke sa i përket procesit të liberalizimit të vizave kanë thënë se ky është një lajm i madh për Kosovën dhe rajonin.
“‘Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë një nga prioritetet tona të politikës së jashtme gjatë presidencës sonë. Më vjen mirë që ndihmuam për të gjetur një marrëveshje brenda Këshillit për liberalizimin e vizave me Kosovën. Ky është një lajm i madh edhe për Kosovën dhe rajonin. Jam i bindur se regjimi pa viza do të hapë rrugën për kontakte më të ngushta mes qytetarëve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së’”, tha më tej ajo duke cituar Presidencën Çeke.