Presidenca e Kosovës ka gati një draft të lëndës për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit që ka dështuar në 29 tentime që nga seanca e parë e mbajtur më 15 prill.
Këtë e ka bërë të ditur për teve1.info, Bekim Kupina këshilltar i presidentes Osmani.
Ai ka thënë se janë në pritje të aktgjykimit për lëndën e dërguar nga AAK-ja në Kushtetuese lidhur me procesin e votimit të fshehtë të kryeparlamnetarit, pasi sipas tij, pranimi i asaj lënde mund të t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë”, ka thënë Kupina.
Ai ka bërë të ditur se presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për takime të ndara me liderët e partive politike nëse ata e shohin të nevojshme për konsultime shtesë lidhur me seancën konstituive.
Të mërkurën do të mbahet seanca e radhës e konstituimit të Kuvendit që do të jetë tentativa e 30-të.