Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk do të ndodh këtë vit. Megjithëse pritjet kanë qenë të larta që gjatë presidencës gjermane të Këshillit të BE-së të arrihet një gjë e tillë dhe pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve e takimit që pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme në mes të delegacioneve teknike Kosovë-Francë për këtë çështje, “drita e gjelbër” për vizat mund të ndodhë të vijë në fund të vitit 2021.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon thotë për KosovaPress se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të vihet në rend të ditës në takimet e mbetura të kryesuara nga Gjermania, por liberalizimi formal i vizave mund të vijë vetëm në presidencat e mëvonshme të Këshillit.
Ne në Parlamentin Evropian e kemi ngritur këtë çështje në të gjitha rastet e mundshme. Gjithashtu, edhe presidenca gjermane ka bërë presion për liberalizimin e vizave për Kosovën, kjo gjithashtu është diskutuar edhe në nivelet më të larta. Padyshim që ky është një zhvillim i rëndësishëm dhe diskutime serioze janë zhvilluar në lidhje me atë se çfarë tjetër mund të bëhet në mënyrë që të bëhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo mund të vihet në rendin e ditës gjithashtu edhe në takimet e mbetura të kryesuara nga Gjermania, megjithatë, në këtë moment ka më shumë të ngjarë që ‘drita e gjelbër’ përfundimtare do të vijë vetëm në presidencat e mëvonshme të Këshillit. Shpresojmë që Këshilli do të sjellë një fund të suksesshëm për këtë deri në fund të vitit të ardhshëm”, thotë ajo në një përgjigje për KosovaPress.
Përkundër kësaj, partia në pushtet Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e sheh ende si shans të humbur liberalizimin e vizave gjatë presidencës gjermane.
Deputeti Faton Bislimi thotë se duhet të punojnë në javët në vijim me shtetet skeptike.
“Nuk besoj që është shans i humbur, ende të paktën. Nuk do të klasifikoja si të tillë. Unë besoj që Gjermania ka qenë një përkrahëse e pareshtur e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe procesin e liberalizimit të vizave. Çështja dhe pengesa kyçe e liberalizimit të vizave janë dy shtete të tjera. Është Holanda dhe Franca të cilat kanë shprehur skepticizëm serioz në lidhje me këtë proces”, thotë ai.
E një gjë të tillë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi e ka parë si të pritshme, pasi siç thotë ajo Qeveria Hoti nuk e ka luftuar korrupsionin.
“Kjo është ditur qysh në fillim, shanset u patën shtuar kur kishim një qeveri legjitime, Qeverinë Kurti e cila filloi të luftojë korrupsionin dhe të përgëzohet për këto veprime edhe nga raporti i progresit nga BE-ja. Tani prej kur kemi në krye të qeverisë një person jo legjitim i cili ka marrë vendime tejet të dëmshme për të cilat është kritikuar nga BE-ja, sidomos për shfuqizimin e task-forcës (Antikorrupsion) ka ndikuar negativisht. […] Tani çfarë mund të bëjë presidenca gjermane është nëse disa shtete nuk janë të bindura që kemi luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk mund të bëjë asgjë. Në këtë muaj nuk ka asgjë dhe nuk ka caktuar asgjë ku do të diskutohet për Kosovën. Shanset për të marrë liberalizimin e vizave do të shtohen vetëm kur një qeveri ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Atë se kjo qeveri nuk e ka vullnetin për të luftuar krimin e korrupsionin e ka thënë edhe raporti i fundit i progresit i BE-së. Nuk ka mënyra si t’i bindim shtetet anëtare pa rezultate konkrete”, u shpreh ajo.
Por, anëtari i komisionit për punë të jashtme nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj thotë se nëse BE-ja nuk lëviz deri në fund të vitit për liberalizim të vizave kredibiliteti i saj në raport me Kosovën do të jetë në pikëpyetje.
“Nëse BE-ja nuk lëviz deri në fund të vitit vërtet kredibiliteti i saj në raport me Kosovën do të jetë në pikëpyetje. Nuk mund t’i besojmë ne dialogun Kosovë-Serbi që ajo do të bind Rusinë, Serbinë, Spanjën e Sllovakinë, Qipron, Rumaninë për të njohur Kosovën nëse një zotim të saj në raport me Kosovën ku i kemi përmbushur kriteret nuk e përmbush vet. Nuk mendoj që është pyetje për neve tash, çka mendon Holanda, çka mendon Franca… nëntorin dhe javën e parë të dhjetorit duhet të kalojnë në Bruksel dhe të shohin përkushtimin e ri evropian”, thotë ai.
Gjermania në muajin korrik ka marrë udhëheqjen e Këshillit të Evropës dhe do të jetë në krye deri në fund të vitit. Ndërsa, edhe vetë mekanizmat evropianë e kanë konfirmuar që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim. Por për të ndodhur kjo, secili nga shtetet anëtare të BE-së duhet të konfirmojnë liberalizimin e vizave për Kosovën
Ndryshe, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shengen./kp/