Ndonëse ende nuk dihet saktësisht se kur do të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë – Serbi është bërë e ditur se në këtë takim ndër të tjera do të flitet edhe për kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën.
Këtë e ka pohuar Zyra e Presidentit të shtetit, Hashim Thaçi, ku përmes një përgjigje dhënë “Zërit” është thënë se në këtë takim do të bisedohet edhe për modalitetet rreth arritjes së marrëveshjes obliguese ligjore mes dy shteteve.
Se do të diskutohej për Luginën e Preshevës ishte thënë edhe para takimit të fundit, i cili u mbajt në fillim të muajit shtator, porse një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Ndërkohë, pos opozitës që tashmë po i kundërshton në vazhdimësi idetë e Thaçit rreth dialogut, edhe përfaqësues të Nismës Socialdemokrate nuk po e mbështesin paralajmërimin e presidentit për korrigjim të kufirit, ani pse vetë lideri i këtij subjekti, Fatmir Limaj, është caktuar udhëheqës i ekipit të formuar nga Qeveria për bisedimet me Serbinë.
Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se është e pamundur të arrihet synimi i Thaçit që ta marrë Luginën e Preshevës pa i dhënë asgjë në këmbim palës serbe.