Kabineti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për një takim me udhëheqësit e subjekteve politike, tha këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.
Partia Demokratike e Kosovës një ditë më parë tha se Osmani, mund të ndërmarrë hapa që të thërrasë partitë në një takim gjithëpërfshirës për të diskutuar se si të tejkalohet kriza politike.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që Osmani të organizojë një takim të tillë, teksa në 12 përpjekjet, deputetët kanë dështuar që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehur gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, kabineti i presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, tha Kupina në një deklaratë dërguar mediave.
Më 16 prill, në një letër dërguar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, Osmani kishte shprehur gatishmëri për të realizuar një takim me udhëheqësit e partive politike, për të ndihmuar në tejkalimin e dallimeve sa i përket formimit të institucioneve të reja.
Edhe tre muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve, Kosova nuk ka institucione të reja.
Më 15 prill ka nisur seanca konstituive dhe në 11 vazhdime të tjera që atëherë, deputetët kanë dështuar që ta konstituojnë organin ligjvënës.
Çështja ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka propozuar për këtë post Albulena Haxhiun. Por, Haxhiu po shihet nga PDK-ja dhe AAK-ja si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë për asnjë kandidat të propozuar nga LVV-ja.
LVV-ja insiston se Haxhiu është kandidate e merituar dhe, ndonëse ka kërkuar një marrëveshje politike, e ka përjashtuar mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër.
LVV-ja, e kryeministrit Albin Kurti, i ka kërkuar LDK-së që të formojnë një koalicion qeverisës, por oferta është refuzuar nga partia që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
LDK-ja ka propozuar formimin e një qeverie tranzitore me të gjitha partitë shqiptare, deri në zgjedhjen e presidentit të ri në prillin e vitit të ardhshëm. LVV-ja e ka kundërshtuar këtë ide, PDK-ja ka thënë se preferon një ekzekutiv mes partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion të tillë e preferon edhe AAK-ja.
Deputetët sërish do të mblidhen të premten për vazhdimin e trembëdhjetë të seancës konstituive.
Vetëm me votimin e kryeparlamentarit të ri dhe nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.
Më pas, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.