Pas Pejës, Gjakovës e Prishtinës ndalesa e radhës e presidentit Agim Ademi në kuadër të procesit të reformave dhe riorganizimit të Lidhjeve Rajonale të Futbollit, ishte Gjilani. Në këtë vizitë, presidenti Ademi shoqërohej nga anëtari i KE-së, Ismajl Ajeti, dhe anëtari i KE-së i deleguar nga ky regjion, Naser Ajeti. Ata u pritën nga kryetari i LRF-së së Gjilanit, Armend Misini, së bashku me përfaqësuesit e strukturave udhëheqëse të këtij regjioni.
Gjatë takimit, u bisedua për prioritetet strategjike dhe reformat që do të përmirësojnë organizimin e futbollit në rajonin e Gjilanit. Presidenti Ademi theksoi rëndësinë e harmonizimit të planeve të regjioneve me strategjinë e përgjithshme të FFK-së, duke vënë theks të veçantë në zhvillimin e infrastrukturës dhe implementimin e digjitalizimit.
“LRF e Gjilanit ka një traditë të pasur dhe potencial për të qenë shembull i avancimit të reformave, të cilat po i zbaton FFK-ja. Me bashkëpunim të ngushtë dhe përkushtim të përbashkët, mund të arrijmë rezultate konkrete që do ta çojnë futbollin në këtë regjion në një nivel të ri”, tha presidenti Ademi.
Në takim u diskutua edhe për projektet e ardhshme infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e terreneve të reja për stërvitje dhe gara, të cilat do të krijojnë kushte më të mira për klubet dhe shkollat e futbollit në këtë rajon.
Kryetari i LRF-së së Gjilanit, Armend Misini, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme nga FFK-ja dhe për vizitën e presidentit Ademi. Ai premtoi angazhim maksimal të strukturave rajonale për të përmbushur objektivat e reformave dhe për të ngritur standardet në organizimin e futbollit.