Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur se në Gjilan do të realizohen tri projekte të reja infrastrukturore, në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit.
Sipas Ademit, investimet synojnë përmirësimin e kushteve për futbollistët, klubet sportive dhe të rinjtë e këtij regjioni.
Projektet e paralajmëruara përfshijnë vendosjen e tapetit të ri sintetik në stadiumin ndihmës të qytetit të Gjilanit, ku aktualisht ndeshjet i zhvillojnë Drita dhe Gjilani, vendosjen e tapetit në fushën sportive në Zabelin e Sahit Agës, si dhe shtrimin me bar natyral të fushës në kampin e FC Drita.
Krahas këtyre investimeve, Ademi ka bërë të ditur se synim mbetet edhe ndërtimi i fushave të vogla sportive në lagje dhe pranë shkollave, me qëllim që fëmijët dhe të rinjtë të kenë më shumë hapësira për aktivitete sportive.
Ai ka theksuar se investimi në infrastrukturën sportive është investim në të ardhmen e futbollit, duke shtuar se bashkëpunimi me klubet, komunën dhe Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit do të vazhdojë edhe në realizimin e projekteve të tjera.
Shkrimi i plotë i presidentit të FFK-së, Agim Ademi:
Investimet në futboll në Gjilan i vazhdojmë me tri projekte të reja
Pas realizimit të projektit të ndriçimit në stadiumin ndihmës të qytetit në Gjilan, ku aktualisht i zhvillojnë ndeshjet, Drita dhe Gjilani, si dhe klubet dhe shkollat e futbollit të këtii regjioni, po vazhdojmë me tri investime të reja në përmirësimin e kushteve për futbollistët, klubet dhe të rinjtë e këtij regjioni.
Në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, do të realizojmë vendosjen e tapetit të ri sintetik në stadiumin ndihmës, pastaj vendosjen e tapetit në fushën sportive në Zabelin e Sahit Agës, si dhe shtrimin me bari natyral të fushës në Kampin e FC Drita.
Krahas këtyre projekteve, synojmë edhe ndërtimin e fushave të vogla sportive në lagje dhe pranë shkollave, në mënyrë që sa më shumë fëmijë e të rinj të kenë hapësira për të luajtur futboll.
Ne besojmë fuqishëm se investimi në infrastrukturë është investim në të ardhmen e futbollit, andaj qyteti i Gjilanit dhe i gjithë ky regjion meritojnë kushte më të mira për zhvillimin e këtij sporti.
Bashkë me klubet, komunën dhe Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit, do të vazhdojmë të punojmë që projektet të tilla të marrin jetë dhe futbolli të ketë edhe më shumë mundësi zhvillimi.
#MeFutbollinPërKosovën ⚽️ 🇽🇰










