Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka dërguar një letër urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, Mattarella ka shprehur urimet më të mira personale dhe në emër të popullit italian, duke theksuar marrëdhënien e thellë miqësore mes dy vendeve.
“Marrëdhënia e miqësisë së thellë që bashkon vendet tona shprehet përmes angazhimit të përbashkët dhe të vazhdueshëm në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Kosovë, si parakusht thelbësor për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme”, ka theksuar presidenti italian.
Ai ka nënvizuar gjithashtu përkushtimin e Romës ndaj integrimit evropian të Kosovës dhe të mbarë rajonit, duke theksuar rëndësinë e një “shtyse të re për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin.”
“Roma mbetet e palëkundur në mbështetjen e rrugëtimit të integrimit evropian të Prishtinës dhe të mbarë rajonit. Arritja e këtij objektivi, për të cilin Italia do të vazhdojë të kontribuojë mbetet thelbësore dhe kërkon një shtysë të re për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin”, ka shtuar ai.
Në përfundim, Mattarella iu drejtua qytetarëve të Kosovës me urime për mbarësi dhe mirëqenie, duke e cilësuar popullin kosovar si “mik të veçantë” për Italinë.

