Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Abdullah Tahiri.
Presidenti Thaçi ka thënë se po përkujtojmë një veprimtar të shquar të Lëvizjes Kombëtare, që ra në prag të çlirimit të Kosovës, 20 vjet më parë.
Ai theksoi se gjatë tërë kësaj jave në qendër të vëmendjes sonë ishte një nga krimet dhe masakrat më çnjerëzore që ndodhën në Kosovë, masakra e Dubravës.
“Shteti i Serbisë me planifikim dhe paramendim kishte tubuar në burgun e Dubravës një numër të madh të burgosurve dhe robërve të luftës me qëllim të vrasjes dhe asgjësimit të tyre. Abdullah Tahiri dhe 160 të burgosur të tjerë, duarthatë dhe duarlidhur, para 20 viteve u vranë mizorisht nga forcat policore serbe vetëm pse ishin shqiptarë që e donin lirinë e vendit të tyre”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se pas dy dekadave, asnjë nga urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e kësaj masakre nuk dolën para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare.
Kreu i shtetit ka thënë se këto krime nuk do të harrohen dhe nuk do vjetrohen asnjëherë, ndërsa për burgosjen, dënimin dhe ekzekutimin e bashkëluftëtarit Abdullah Tahiri, ai ka thënë se nuk ishte i rastësishëm.
“Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Gjilani me rrethinë, si gjithë Kosova, ishte goditur rëndë në periudhën e administrimit ushtarak, ku doli haptas fytyra e regjimit komunist jugosllav. Kundër regjimit shtypës jugosllav, si ndërgjegje e zgjuar kombëtare, Gjilani dha figura të rëndësishme patriotike dhe nacionaliste. Ishin Mulla Idriz Gjilani, Kadri Halimi, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, në periudha të ndryshme historike, që me jetën dhe sakrificën e tyre e mbajtën të gjallë idealin e çlirimit të Kosovës”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka theksuar se ishte një plejadë e tërë të burgosurish politikë që u shquan në të gjitha dekadat e gjysmës së dytë të shekullit njëzet si atdhetarë dhe veprimtarë të dalluar.
Sipas tij, Abdullah Tahiri kishte përvetësuar këtë frymë politike dhe këtë orientim të drejtë kombëtar që në moshë të re, duke qenë aktiv në organizimin e demonstratave të vitit 1981 edhe si student.
Presidenti ka folur edhe për elementin kundërshtues të Jugosllavisë, ku sipas tij, bëri që të shpërthejnë demonstratat, që i dhanë goditje themeleve të politikës së Beogradit.
“Rritja e ndërgjegjes kombëtare e brezit ’81, në kontekstin e përgjithshëm politik ishte edhe një tregues dhe argument më shumë që statusi i autonomisë ishte i pamjaftueshëm për Kosovën. Kërkesa për Republikën e Kosovës ishte shndërruar në ideal gjithë popullor. Kështu, inteligjenca e krijuar pas hapjes së Universitetit të Prishtinës nuk mund të tjetërsohej nga ideologjia jugosllave e vëllazërim-bashkimit të rrejshëm”, ka thënë ai.
Kreu i shtetit ka thënë se Abdullah Tahiri është figurë tipike dhe rezultat i emancipimit politik dhe kombëtar të atyre gjeneratave që nuk pajtoheshin me politikën e Beogradit dhe të Lidhjes Komuniste të Kosovës, si dhe pas daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Abdullah Tahiri filloi hapat e parë të organizimit të strukturave të saj në Gjilan.
Presidenti Thaçi ka thënë se duke qenë një veprimtar i njohur, Tahiri burgoset nga policia serbe dhe kështu ndërpritet hovi i një komandanti në ardhje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Abdullah Tahiri u bë emër frymëzues për shumë luftëtarë të lirisë anekënd Kosovës. Në saje të gjakut të dëshmorëve, të sakrificës së martirëve, të rezistencës popullore, të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetjes së botës demokratike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe intervenimit të NATO-s, Kosova u bë vend i lirë”, ka thënë ai.
Duke marrë parasysh kontributin e madh dhe të vazhdueshëm të Abdullah Tahirit, idealet për të cilët u burgos dhe qëndresën e sakrificën e tij, president i vendit, Hashim Thaçi, para dy vjetësh ka nderuar Abdullah Tahirin me urdhrin “Hero i Kosovës”.