Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, deklaroi se Kosova mund të arrijë siguri e stabilitet vetëm atëherë kur do të promovohen e të mbrohen të drejtat e grave dhe vajzave. Në diskutimin “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”, të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, Osmani tha se fryma e barazisë gjinore duhet të përhapet në shtëpi, rrugë e kudo tjetër.
“Uroj që në vitin që pason vajzat e gratë tona të ndihen të sigurta në shtëpi, në rrugë e në çdo vend publik. Uroj për qasje të barabartë për vajzat dhe gratë në arsim, drejtësi, në ekonomi, në politik bërje e në proceset kyçe vendimmarrëse në trashëgimi”, tha Osmani.
Për këtë temë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore, ndërsa alternativë për të jetësuar barazi e drejtësi, sipas Kurtit është organizimi i përbashkët institucional.
“Organizmi i përbashkët institucional e shoqëror për të jetësuar synimet për barazi dhe drejtësi është e vetmja alternativë, nuk mund të ketë barazi në shoqëri pa barazi në mes të gjinive, barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore. Por përderisa grat dhe vajzat mbajnë barrën e problemeve shoqërore ato janë thelbësore për nxitur dhe udhëhequr ndryshimet drejt zgjidhjes së tyre, gratë e bëjnë aktivizimin e dyfishtë. Merren me politikat e përgjithshme por gjithsesi edhe me çështjet gjinore, gratë nuk punojnë vetëm për gratë por ato punojnë po ashtu edhe për gratë”, tha Kurti, përcjell EO.
Kryeministri tha se duhet të aktivizohen gratë e shkolluara dhe të shkollohen gratë aktive.
“Duhet ti aktivizojmë gratë e shkolluara e duhet t’i shkollojmë sa më lartë gratë aktive. Krijimi i mundësive të barabarta është objektivi ynë i parë strategjik në programin e Kosovës për barazi gjinore që gratë të përfitojnë nga zhvillimi por edhe të kontribuojnë që të rrisin përfshirjen e pjesëmarrjen aktive e pjesëmarrjen në vendimmarrje”, tha Kurti.
Në anën tjetër, Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë, duke përmendur luftën në Ukrainë, tha se janë qindra gra, burra e fëmijë që po e përjetojnë luftën.