Komunat veriore tashmë kanë mbetur pa udhëheqës. Kjo pasi, dorëheqje dhanë edhe kryetarët e katër komunave në atë pjesë, duke filluar nga ai i Mitrovicës së Veriut, e pastaj edhe i Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit.
Për këtë situatë, profesori universitar dhe njohësi i kushtetutës Mazllum Baraliu, për tëvë1 thotë se presidentja e vendit Vjosa Osmani, mund të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme për këto komuna.
Përveç kryetarëve edhe përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës janë larguar nga detyra.
Sipas Baraliut, këta deputetë mund të zëvendësohen nga lista e pritjes nëse ka të interesuar, ose t’i jepet radha ndonjë partie tjetër.
Uniformat e tyre i kanë dorëzuar edhe policët serbë të cilët kanë shërbyer në Policinë e Kosovës.
Kjo gjë sipas ekspertit të sigurisë, Fadil Kajtazi, do të jetë një sfidë për institucionet e Kosovës që në atë pjesë të këtë rëndë e qetësi.
Por, Kajtazi nuk e përjashton as mundësinë që presion t;iu bëhet edhe zyrtarëve policorë serbë, në pjesën tjetër të vendit që të veprojnë njësoj.
Largimi i përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës ka ardhur pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë për fazën qortuese në lidhje me targat./teve1/