Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas gjendjes me vërshime në disa pjesë të Kosovës, u ka bërë thirrje qytetareve për vigjilencë dhe respektim të udhëzimeve për përballimin me sukses të kësaj situate.
Osmani tha se është në kontakt me kryetarët e komunave të prekura, ndërsa menaxhimi po vazhdon në koordinim me nivelin qendror.
“Mirënjohje e thellë për të gjitha institucionet dhe qytetarët që, përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve të sotme, po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtjen e jetës dhe pronës.
Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore.” – ka shkruar Osmani.
Me këtë rast, e para e shtetit tha se FSK-ja ka shprehur gatishmëri për ofrimin e mbështetjes, transmeton Klankosova.tv
“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur bashkë me organet e rendit. Falënderoj edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e plotë për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme, duke vënë në dispozicion kapacitetet e saj njerëzore dhe logjistike, nëse paraqitet nevoja.
Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate.”










