Në kuadër të Agjendës Shtetërore për nderë të 15-vjetorit të pavarësisë së vendit, para objektit të Qeverisë është ngritur në mënyrë solemne flamuri i Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila ishte e pranishme atje bashkë me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca dhe kryeministrin, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka ndarë pamjet nga ceremonia.
“Republika e Kosovës është e përjetshme”, ka shkruar ajo bashkëngjitur me fotografinë.
Po ashtu i pranishëm ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Ndryshe, Agjenda Shtetërore konsiston nga një numër aktivitetesh që pritet që të fillojnë qysh në orët e hershme të mëngjesit e deri në ato të mbrëmjes.
Pas ngritjes solemne të flamurit, do të vazhdohet me homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te Adem Demaçi dhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.
Në orën 11:00, Kuvendi do të mbajë seancë solemne derisa një orë më vonë, prej orës 12:00 të mesditës, do të fillojë parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës në sheshin e kryeqytetit.
Kremtimet e Ditës së Pavarësisë do të përfundojnë me një koncert përmbyllës.