Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla si dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë takuar një delegacion të Senatit amerikan.
Në këtë takim, Osmani tha se diskursi nxitës nga Serbia është burim i destabilizimit në rajon, njësos sikurse edhe tendencat ruse për shtrirjen e ndikimi negativ në rajon.
“Në këtë takim, Presidentja ka potencuar se diskursi nxitës nga Serbia është burim i destabilizimit në rajon, njësoj sikurse edhe tendencat ruse për shtrirjen e ndikimit negativ në rajon. Ajo theksoi se ky ndikim synon zhbërjen e arritjeve të SHBA-ve, BE-se dhe NATO-s në rajon lidhur me paqen, stabilitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje, Osmani i ka njoftuar senatorët amerikanë në lidhje me përpjekjen e Kosovës për reforma gjithëpërfshirëse, të cilat sipas saj, synojnë posaçërisht forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të huaja.
Kurse, senatorët amerikanë e falënderuan Kosovën për pranimin e refugjatëve afganë dhe realizimin e misionit të FSK-së krahë Ushtrisë Amerikane në Kuvajt.
“Senatorët falënderuan Kosovën për pranimin e refugjatëve afganë dhe realizimin e misionit të parë paqësor jashtë vendit të ushtarëve të FSK-së përkrahë Ushtrisë Amerikane në Kuvajt, duke rikonfirmuar kështu partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Amerikës dhe kontributin për paqe e siguri në botë”, thuhet në komunikatë, përcjell Klankosova.tv.
Kujtojmë se Osmani, Gërvalla e Mehaj po qëndrojnë në Kanada në margjina të Forumit Ndërkombëtar për Siguri në Halifax