Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë. Në urimin e saj, Presidentja Osmani ka theksuar se kjo festë që shënon përfundimin e muajit të Ramazanit karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor.
“Uroj që ky Bajram të kalojë në frymën e solidaritetit, afërsisë dhe zemërgjerësisë, të cilën populli ynë e kultivon ndër shekuj. E kalofshi këtë festë me të afërmit tuaj në paqe e harmoni dhe i ndafshi të mirat me ta, me miqtë dhe fqinjët tuaj. Frymën solidare duhet ta dëshmojmë çdoherë, e posaçërisht në festat si kjo, kur duhet t`ua zgjasim dorën njerëzve në nevojë. Kjo festë është, poashtu mundësi e mirë për forcimin e mirëkuptimit, afërsisë ndërnjerëzore me dëshirën e përbashkët për zhvillimin e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. Me fat Fitër Bajrami!”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani për festën e Fitër Bajramit.