Krerët e shtetit të Kosovës, u fotografuan me dokumentin duke mbajtur në dorë, dhe i cili më vonë iu dorëzua Presidencës çeke të BE-së, si aplikim i shtetit për antarësim në BE.
Këtë dokument, presidentja Vjosa Osmani e publikoi në llogarinë e saj në Tëitter.
“Republika e Kosovës ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE, duke përmbushur ëndrrën dhe aspiratën e popullit tonë për të na parë si pjesë të familjes së Bashkimit Evropian”, ka shkruar presidentja e cila të enjten pasdite e publikoi edhe dokumentin zyrtar të aplikimit.
“Në emër të Republikës së Kosovës, në dakordim me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, bazuar në zotimin tonë për të respektuar dhe promovuar vlerat themelore të Bashkimit Evropian, në frymën e zotimit të plotë dhe të paekuivok të BE-së për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor dhe në thirrjen për përshpejtimin e procesit të pranimit, kemi nderin që ta paraqesim aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shkruan ndër të tjera në dokumentin zyrtar të aplikimit.
Presidentja Osmani deklaroi se Kosova ka zgjedhur Evropën, sepse Kosova është Evropë.