Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e Komunës së Prishtinës për shënimine 34-vjetorit të vizitës së senatorëve amerikanë të kryesuar nga Bob Dole, më 29 gusht 1990, shkruan Gazeta Online REporteri.net.
E para shtetit, tha se 34 vjet më parë në këtë shesh (Zahir Pajaziti sot), kumbonte zëri i mijëra protestuesve “liri,liri dhe USA-USA”, të cilët kërkonin lirinë kundër shkeljes së të drejtave të njeriut nga regjimi i Millosheviqit.
“34 vjet më parë kur delegacioni i senatorëve amerikan vizitoi Prishtinën ishte po ky shesh me mijëra protestues, zëri i të cilëve kumbonte “liri-liri, USA-USA” në kërkim të lirisë e kundër shekljes flagrante të të drejtave të njeriut nga regjimi i Millosheviqit.
“29 gushti i vitit 1990 shënoi fillimin e rrugëtimit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë dhe siç kishte thënë edhe atë kohë senatori Bob Dole “Liria po vjen, demokracia po vjen”.
Presidentja Osmani ka theksuar se tanimë Kosova është shtet i pavarur dhe SHBA-ja është krah saj, dhe se thirrja e shtetit tonë për drejtësi është dëgjuar dhe është ndërkombëtarizuar.
Ajo përmendi edhe ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugovën pa të cilin ajo tha se historia e Kosovës s’do të kishte sukses.
“Kosova është shtet i pavarur e demokratik dhe SHBA është këtu me ne. Nga sallat e kongresit amerikan e deri te Shtëpia e Bardhë, nga grupet e Washingtonit ku ecte e brohoriste diaspora jonë, e deri te zemrat e popullit amerikan, thirrja jonë për drejtësi dhe liri u dëgjua dhe e vërteta jonë u ndërkombëtarizuar. Ky shesh ruan kujtimin tonë historik, një pllak përkujtimore e vendosur para Hotelit Grand e ka përjetësuar këtë datë, tha Osmani.
“Kjo histori as nuk do të nisej e as nuk do të kishte sukses, pa ikonën dhe arkitektin, dhe atin themeltar të shtetit tonë dhe pavarësisë sonë, fotografia e të cilit është afër këtu, presidentit historik, Ibrahim Rugovës”, ka shtuar Osmani.
Tutje ajo falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Pa Amerikën dhe pa luftën e UÇK-së dhe shpirtin e paepur të popullit të Kosovës, as atëherë dhe as sot, Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur, Përballë një kapitulli të errët, shpresa jonë sikurse gjithnjë erdhi nga përtej atlantikut. Delegacioni i senatorëve amerikan erdhi me mision të qartë, për ta kuptuar të vërtetën dhe për ta ndërkombëtarizuar atë”, tha presidentja Osmani para të pranishmëve./Reporteri.net/