Në kuadër të avancimit të teknologjisë në sistemin prokurorial, në Prokurorinë Themelore në Gjilan u mbajt një prezantim mbi përdorimin praktik të raporteve statistikore të gjeneruara përmes Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL).
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, z. Arben Kadriu, së bashku me prokurorët e kësaj prokurorie. Prezantimi u mbajt nga z. Nexhat Haziri, Udhëheqës i Departamentit për Teknologji të Informacionit në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Z. Haziri prezantoi mënyrat konkrete të përdorimit të raporteve statistikore për monitorimin dhe vlerësimin e performancës së prokurorëve dhe të vetë institucionit. Raportet e SMIL-it ofrojnë të dhëna të sakta dhe të përditësuara, duke ndihmuar në menaxhimin efektiv të lëndëve, planifikimin strategjik dhe marrjen e vendimeve të bazuara në analizë të mirëfilltë.
Kryeprokurori Kadriu vlerësoi lart rëndësinë e përdorimit të këtyre mjeteve teknologjike dhe inkurajoi prokurorët që t’i përdorin raportet statistikore në mënyrë aktive në punën e përditshme. Ai theksoi se SMIL është një platformë moderne dhe e domosdoshme për përmirësimin e vazhdueshëm të performancës institucionale.