Në katërmujorin e parë të vitit 2019 nëpër shkollat e Kosovës gjashtë nxënës kanë marrë lëndime të rënda trupore. Në disa statistika të Policisë së Kosovës, të siguruara nga gazeta “Zëri”, thuhet se gjatë kësaj periudhe nga përleshjet nëpër shkollat e Kosovës gjashtë nxënës kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa pesëdhjetë e gjashtë të tjerë kanë përfunduar me lëndime të lehta trupore.
Kurse sa i përket përdorimit të armëve nëpër shkolla nga Policia e Kosovës janë identifikuar dy raste të përdorimit të armës së zjarrit, ndërsa nëntë raste të përdorimit të armëve të ftohta. Po ashtu nxënësit në shkolla kanë përdorur edhe mjete të tjera të rrezikshme dhe Policia ka identifikuar rreth shtatë raste të tilla.
Kryetari i Këshillit të Prindërve në Kosovë, Ymret Reshiti, është shprehur i shqetësuar pas dy rasteve të fundit të therjes me thikë në shkolla. Ai ka deklaruar se nxënësit janë të cenuar nga pasiguria në shkolla.
Ne si Këshill i Prindërve në shkolla në vazhdimësi e kemi ngritur shqetësimin tonë për mungesën e sigurisë nëpër shkolla. Bëhet fjalë për përgjegjësinë e institucioneve këtu. Kanë rënë prej përgjegjësisë së detyrës si shkollat, komunat dhe për vite të tëra në Kosovë nxënësit janë të cenuar nga pasiguria qëkur ndodhin raste të ndryshme si të therjeve”, ka thënë ai.
E për mungesën e sigurisë ai ka fajësuar menaxhmentin e shkollave, i cili nuk po i kontrollon nxënësit. Kësisoj sipas të parit të prindërve, në shkolla këto raste po neglizhohen.
“Shkollat deri më tani kanë dështuar në mbikëqyrje në aspektin e sigurisë nëpër shkolla. Kush po hyn në shkollë, nxënësit a po hyjnë, a po bartin drogë, duhan, armë të ftohta, mjete të ftohta në ambientet e shkollës? Pavarësisht se ne po e ngremë zërin në vazhdimësi dhe pavarësisht rasteve po vazhdon të neglizhohet”, ka deklaruar tutje ai.
Ndërsa për mosmarrjen e masave ndaj drejtorëve të shkollave, ai fajin e ka hedhur tek udhëheqësit e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA). “Ne kemi një vërejtje të madhe ndaj udhëheqësve të shkollave, por vërejtjen më të madhe e kemi ndaj DKA-ve dhe kryetarëve të komunave të cilët pavarësisht shfaqjes së rasteve nuk marrin masa”, ka thënë Reshiti./ZERI