FC Prishtina është shpallur fituese e Kupës së Kosovës për sezonin 2024/25, pas një ndeshjeje të fortë finale kundër Llapit, e cila përfundoi me rezultat 1-0 në favor të kryeqytetasve.
Golin vendimtar për Prishtinën e realizoi Albin Krasniqi, duke i dhënë ekipit të tij trofeun e shumëpritur dhe duke vulosur një sukses të rëndësishëm për klubin bardhekaltër.
Ndeshja u karakterizua nga intensitet i lartë, luftë sportive dhe atmosferë finaleje, ku të dy ekipet kërkuan me ngulm trofeun. Megjithatë, ishte Prishtina ajo që doli më e saktë dhe më e vendosur për të ngritur lart Kupën.
Me këtë triumf, Prishtina siguron pjesëmarrjen në kualifikimet për Ligën e Evropës, duke hapur një kapitull të ri dhe emocionues në arenën ndërkombëtare për sezonin e ardhshëm./Radio Star/