Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar se masat e reja kundër koronavrusit mund të ashpërsohet nëse vazhdn rritja e rasteve.
Kështu tha ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, pas takimit virtual me ambasadorët e shteteve dhe përfaqësuesit e organizatave donatore.
“Masat e reja janë paraparë të jenë në fuqi dy javë, por, varësisht nga situata, mund të ashpërsohen në rast të përkeqësimit.”, ka shkruar ai.
Postimi i tij i plotë:
Në takimin virtual informues me ambasadorët e shteteve dhe përfaqësuesit e organizatave donatore, SHBA-ja, Japonia, Luksemburgu, Gjermania, Austria, Zvicra, Norvegjia, Jordania, Katari, Zyra e Bashkimit Evropian, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara (OBSh, UNICEF, UNDP, Banka Botërore), ceka se ato mbesin shtylla të rëndësishme për menaxhimin e suksesshëm të Pandemisë.
Diskutuam për situatën epidemiologjikë ne vend, veprimet e deritashme si dhe hapat e mëtejmë që po ndërmerr Qeveria e Kosovës për luftimin e virusit Covid 19.
Theksova nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes, dhe për këtë mora edhe zotimin e tyre se përkrahja do të vazhdojë.
Menaxhimi i situatës epidemiologjike në Republikën e Kosovës u vlerësua lartë nga partnerët tanë dhe bashkë vazhdojmë tutje në pengimin dhe luftimin e virusit Covid 19.
U dakorduam që masat e reja të cilat janë në fuqi nga sot duhet të zbatohen me rigorozitet, kujdesi duhet të jetë i shtuar nga të gjithë qytetarët tanë po ashtu edhe nga shtetasit e huaj, që jetojnë e veprojnë në vendin tonë.
Masat e reja janë paraparë të jenë në fuqi dy javë, por, varësisht nga situata, mund të ashpërsohen në rast të përkeqësimit.
Deri më tani, kemi marrë ndihma financiare dhe pajisje mbrojtëse, kite për testim RT PCR, aparatura, ventilatorë, monitorë për pacientë, autoambulanca, shtretër, koncentrues të oksigjenit, medikamente si dhe gjëra të tjera të rëndësisë së veçantë.
Në takim, në emër të Ministrisë, Qeverisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreha falënderimin e thellë e të sinqertë për tërë përkrahjen e cila është pjesë e suksesit tonë në luftimin e virusit.