Kolona të gjata janë krijuar në pikën kufitare mes Kosovës e Shqipërisë.
Shumë qytetarë nga Kosova janë nisur sot drejt Shqipërisë për të festuar 28 Nëntorin, që shënon datën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Nga pamjet shihet se qytetarët po presin gjatë për shkak të fluksit të madh të veturave që po qarkullojnë në hyrje-dalje të Shqipërisë.
Ndryshe ministri i Punëve të Brendshme në Shqipëri Bledi Çuçi kishte thënë se gjatë kësaj fundjave, për shkak të fluksit të festës së 28 Nëntorit, s’do të ketë kontrolle në kufi.
“Sa i takon flukseve të mëdha dhe jo të zakonshme përpara sezonit, duke përfshirë edhe festën e 28 Nëntorit, ku lëvizja në të dy anët e kufirit do të jetë me fluks të shtuar kemi dhënë porosi në të dy anët e kufirit që të mos ketë kontrollë dhe asnjë pengesë për qarkullimin e shtetasve në periudhën e fundjavës së gjatë që e krijon festa kombëtare e 28 Nëntorit. Besoj që jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar që ne jemi dy shtete të ndryshme”, kishte deklaruar ministri.