Dy klubet nga i njëjti qytet, Gjilani dhe Drita mund të përballen me nje hendikep, pasi në rast se punimet fillojnë në fushën e blertë, dy skuadrat duhet të gjejnë një stadium tjetër.
Tashmë dy klubet janë duke u përgatitur që ndeshjet mund t’i zhvillojnë edhe në stadiumin ndihmës me bari sintetik, i cili ndodhet në periferi të qytetit.
Sevdail Robelli, drejtor gjeneral i SC Gjilanit ka thënë se ndonëse ata nuk kanë marrë ndonjë vendim përfundimtar në lidhje me fatin e stadiumit, për t’i zhvilluar ndeshjet në stinorin pranveror ose jo, ata tashmë kanë një opsion të dytë.
“Ne e kemi përgatitur stadiumin me bari sintetik në Gjilan. E kemi licencuar në Federatën e Futbollit të Kosovës. Ende nuk kemi vendim përfundimtar nëse do t’i zhvillojmë të gjitha ndeshjet në stadiumin kryesor të qytetit ose te ai me bari sintetik. Ka mundësi t’i shfrytëzojmë dy stadiumet varësisht nga punimet në stadiumin kryesor dhe nga kushtet atmosferike”, ka thënë Sevdail Robelli për “Zëri.info”.
Ndërkaq, drejtori sportiv i klubit të Dritës, Valon Zymberi ka potencuar se stadiumi me bari sintetik që gjendet afër varrezave të qytetit, është alternativ edhe për ta.
Ai kishte edhe kritika për punimet që po bëhen në stadiumin e Gjilanit, dhe sipas tij nuk është duke i ardhur “era” që aty të rregullohet ndonjëherë.
“Ne nuk kemi marrë asnjë komunikatë për këtë gjë. Kjo është paraparë që pas këtij sezoni ne nuk mund t’i zhvillojmë ndeshjet në stadium. Ky sezon parashihet që ndeshjet të luhen në stadiumin e qytetit edhe pse punimet vazhdojnë përreth tribunave. Gjithsesi, aty nuk është fija për t’u rregullar, sepse janë ndal punimet dhe nuk është duke i ardhur era që do të rregullohet stadium ndonjëherë. Por, ne e kemi si opsion të dytë, stadiumin alternativ me bari sintetik afër varrezave të qytetit”, ka thënë Valon Zymberi për “Zeri.info”.
Ndryshe, Arbëria e Dobrajës së Madhe të Lipjanit është duke u përballur me mungesën e stadiumit të saj dhe ndeshjet si vendas do t’i zhvillojë në Ferizaj.