Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar importin e produkteve ushqimore nga stabilimenti AD Mlekarna Tetovo në Maqedoninë e Veriut, pas rezultateve të përsëritura laboratorike që kanë zbuluar praninë e bakterit Escherichia coli (E. coli).
Vendimi është marrë më 6 nëntor 2026, pas kontrolleve zyrtare dhe analizave laboratorike të realizuara gjatë periudhës prill-tetor 2026, ku janë evidentuar gjithsej 11 rezultate mikrobiologjike të pakënaqshme.
Sipas AUV-së, analizat janë kryer nga laboratorët e institucionit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe laboratori Food Lab në Maqedoninë e Veriut.
Produktet në të cilat janë kryer testimet përfshijnë krem të bardhë, produkte të tipit urda dhe përgatitje ushqimore me yndyrë bimore, përfshirë markat Natura Sharplaninska, Olios dhe Bianco Vacuum.
Si pasojë e këtyre rezultateve, përveç ndalimit të importit, AUV ka vendosur edhe largimin e stabilimentit AD Mlekarna Tetovo nga lista e subjekteve të aprovuara për import në Kosovë.
Produktet e këtij stabilimenti kanë hyrë në Kosovë përmes operatorëve ekonomikë Vizioni M.Z.I, Dauti Komerc dhe Delfini L.T.D. AUV ka bërë të ditur se dërgesat në të cilat janë konstatuar mospërputhje janë refuzuar në pikat kufitare dhe nuk janë lejuar të dalin në tregun vendor.
Sipas autoritetit, prania e E. coli mbi kriteret e lejuara mund të tregojë mangësi në higjienën e prodhimit, përpunimin e lëndës së parë apo kushtet sanitare të stabilimentit.
Ndërkohë, AUV ka paralajmëruar kontrolle shtesë për të verifikuar nëse produkte të importuara më herët nga ky stabiliment vazhdojnë të gjenden në depot e operatorëve ekonomikë, në rrjetet e shpërndarjes apo në pikat e shitjes.
Kontrollet do të përfshijnë identifikimin e loteve, sasive të importuara, datave të prodhimit dhe skadencës, si dhe marrjen e mostrave për analiza shtesë.
Në rast se konstatohen produkte që nuk përmbushin kriteret e sigurisë ushqimore, AUV do të ndërmarrë masa për ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen e tyre nga tregu, përfshirë njoftimin e konsumatorëve.
Vendimi është marrë në bazë të Ligjit për Ushqim dhe kërkesave ligjore për higjienën dhe kriteret mikrobiologjike të produkteve ushqimore. AUV ka njoftuar zyrtarisht edhe autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut.










