Vetëm pak ditë pasi ekzekutivi kosovar ka vendosur taksën prej 10 për qind të disa produkteve nga Serbia dhe Bosnja, Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit vlerëson se është rritur vetëdijesimi i qytetarëve të Kosovës sa i përket konsumimit të produkteve vendore. Ky këshill madje thekson se produktet që prodhohet në Kosovë janë më cilësore se sa ato të Serbisë.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Sherif Fejzullahu, ka kërkuar që presidenti Hashim Thaçi t’i ngrejë si çështje në dialog problemet që po ballafaqohen qytetarët nga dëmet që po iu shkaktohen nga produktet serbe.
Sipas këtij këshilli, nëse Serbia nuk respekton marrëveshjet, atëherë taksa duhet të rritet apo edhe të merret vendim në anulim të tërësishëm të importimit të mallrave. Aty u bë e ditur se më 26 nëntor do të mbahet takim me Qeverinë e Shqipërisë, ku do të kërkohet edhe bashkëpunim në sektorin e mallrave ushqimore.
Në këtë konferencë me titull “Të gjithë bashkë kundër dëmeve që vijnë nga Serbia”, është kërkuar që kosovarëve t’u bëhet furnizim me mallra ushqimore nga Shqipëria, Turqia, Maqedonia dhe Kroacia.