Qeveria e ne detyrë e Kosovës ka emëruar sot anëtarët e bordeve të disa ndërmarrjeve publike.
Në Bordin e ri të Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A janë emëruar:
Mentor Hyseni, kryesues dhe drejtor;
Hajrie Morina, drejtore;
Seat Bilbani, drejtor; dhe
Idriz Maliqi, drejtor.
Kryesuesi Mentor Hyseni shihet se është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje bile ishte prezantuar nga Kurti. Mentori Hyseni i ishte bashkuar VV-së më 31 Gusht 2019.
“Përveç përvojës menaxheriale, Mentori po ashtu ka punuar si ligjërues asistent në Universitetin e Gjilanit ku ka ligjëruar lëndët e financave, kontabilitetit, etj. Ai është ligjërues edhe në Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK), një shoqatë lidere e njohur ndërkombëtarisht në fushën e Kontabilitetit, Financave dhe Auditimit në Kosovë. Ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Publike në vendin tone”, kishte shkruar Kurti në postimin e tij, transmeton Reporteri.
Por nuk është vetëm ky anëtar bordi me ngjyrime politike. Edhe një ndërmarrje tjetër miratimin nga kabineti qeveritar e ka marr edhe Vendimi për emërimin e Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes publike qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A. , në këtë përbërje:
Enis Berisha, kryesues dhe drejtor;
Vjollca Jashari, drejtore;
Artan Dermaku, drejtor; dhe
Abdullah Lala, drejtor.
Anëtar i VV-së figuron të jetë Artan Dermaku. Ai është profesor në Universitetin e Gjilanit dhe ishte anëtarësuar në VV në vitin 2018, më 27 Gusht, shkruan Reporteri.net.
“Ka punuar dy vite në kompaninë “Siemens”, pastaj si hulumtues shkencor në Universitetin Teknik të Vjenës, dhe si mësimdhënës në universitete publike e kolegje private në Kosovë. Më shumë shkencë e shkencëtarë në Lëvizjen tonë politike do të përkthehet në më shumë konsistencë dhe dije në politikën e Kosovës”, ka shkruar Kurti në postimin për të.
Në mbledhjen e Qeverisë, edhe vendimi për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve dhe emërimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore “Posta e Kosovës” Sh.A., është aprovuar. Sipas Ligjit, Qeveria duhet t’i shkarkojë drejtorët kur ka “arsye për të besuar” se kanë shkelur detyrat fiduciare. Në raportin për vitin 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinionin se pasqyrat vjetore financiare të Postës nuk paraqesin gjendjen e drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në këtë ndërmarrje.
Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes janë emëruar:
Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor;
Kujtim Shala, drejtor;
Sajmie Thaci, drejtore; dhe
Blerton Abazi, drejtor.