Prokurori i Shtetit ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili më herët tha se ashtu siç janë zotuar “do të luftojnë krimin në çdo cep të vendit”.
Në reagim thuhet se Sveçla, si edhe aksioneve të tjera të prokurorisë edhe rastin e ditës së sotme të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në komunën e Shtërpcës dhe më gjerë, mundohet që t’iu japë karakter politik, njofton Klan Kosova.
“Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit. Hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike”.
Prokurori i Shtetit thotë se e mirëkuptojnë vlerësimin që pushteti ekzekutiv ka filluar ta ketë për punën e Prokurorit të Shtetit, po se dëshiron t’ia bëjë të qartë se duhet të respektohet ndarja e pushteteve dhe kompetencat që secili institucion i ka.
“Në këtë kontekst, secili institucion duhet të sillet konform përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese, pa u përzier në punët dhe kompetencat respektive. Aksioni i ditës së sotme është punë dhe angazhim disavjeçar i Prokurorisë i mbështetur nga organet tjera ligjzbatuese, për më tepër është në vazhdën e përpjekjeve të Prokurorit të Shtetit për forcimin e sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre individëve që kryejnë vepra penale pavarësisht pozitës, funksionit apo etnisë që ata kanë”.