Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar për Radio Star se ka nisur hetimet ndaj ish-shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Labinot Latifi, pas raportimeve në media për një rast dhune ndaj një qytetari të moshuar.
Në përgjigjen zyrtare për Radio Star, Prokuroria njofton:
“Referuar kërkesës tuaj të parashtruar me datë 26 gusht 2025, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan është e njoftuar me rastin dhe Prokurori kujdestar ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për rastin konkret, ndaj personit me inicialet L.F, në drejtim të veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ nga neni 185 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Rasti për momentin është nën hetim dhe është duke u trajtuar nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Gjilan.”
Sipas raportimeve në media, rasti ka ndodhur në lagjen “Kodra e Dëshmorëve” në Gjilan, ku një i moshuar ka pësuar lëndime dhe është trajtuar në Spitalin e Gjilanit.
Ndërkohë, pas publikimit të lajmit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, mori vendim për ta liruar Latifin nga detyra e shefit të kabinetit deri në një vendim përfundimtar të organeve të drejtësisë.
Në anën tjetër, vetë Latifi reagoi duke thënë se ngjarja në fjalë, ndonëse një situatë e zakonshme mes fëmijësh, rrezikon të keqpërdoret për qëllime të tjera politike. Ai tha se për këtë arsye i është drejtuar kryetarit Hyseni me kërkesë për t’u liruar përkohësisht nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rastit.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë dhe institucionet kompetente pritet të japin detaje të tjera në ditët në vijim./Radio Star/