Prokuroria Themelore në Gjilan nuk është ndarë e kënaqur me dënimet e shpallura nga gjykata për aksidentin që kishte ndodhur në qendër të qytetit të Gjilanit, nga i cili dy persona patën humbur jetën dhe 23 ishin lënduar.
Gjykata Themelore në Gjilan javën e kaluar ka dënuar me 4 vjet e tetë muaj burgim shoferin e kamionit (M.V) i cili shkaktoi aksidentin në qendër të qytetit, duke ia ndaluar edhe drejtimin e mjetit për kategori të caktuara në kohëzgjatje prej 3 vjet.
Ai është dënuar për veprën penale të rrezikimit të trafikut publik. Kurse me 2 vjet e 8 muaj burgim është dënuar pronari i kompanisë (V.T) i cili nuk ishte kujdesur për gjendjen teknike të kamionit dhe kishte lejuar që i njëjti të qarkullonte në rrugë dhe të transportonte mallra.
Zëdhënësja për informim e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Liridona Xheladini, ka deklaruar për gazetën “Koha Ditore” se ata do të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj këtij aktgjykimi.
“Për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor do të ushtrojë ankesë kundër këtij aktgjykimi të Gjykatës kompetente në Gjilan, lidhur me vendimin mbi sanksionin penal, në gjykatën e shkallës së dytë – Gjykatën e Apelit”, ka thënë ajo