Një grua dyshohet se është grabitur bashkë me djalin e saj, e më pas është dhunuar nga dy persona të maskuar.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se rasti është kualifikuar si “Dhunim”, “Grabitje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime në mënyrë që të indentifikohen kryesësit e këtyre veprave. Nga prokurori kujdestar rasti është kualifikuar si “Dhunim”, “Grabitje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, konfirmoi Liridona Xheladini, zëdhënëse e kësaj Prokurorie.
Ndryshe, në raportin 24 orësh të Policisë, u tha se nga viktima janë vjedhur stoli ari dhe një shumë e parave të gatshme.
“Është raportuar se dy viktimat një femër dhe djali i saj i mitur, deri sa ishin duke ecur rrugës janë sulmuar fizikisht nga dy persona të panjohur të maskuar. Të dyshuarit kanë arritur që me forcë të marrin nga viktima stoli ari që kishte si dhe një shumë parash dhe njëkohësit dyshohet se të njëjtit e kanë dhunuar, ndërsa ndaj djalit të saj kanë ushtruar dhunë fizike dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë. /BetimipërDrejtësi