Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mohuar të jetë hapur sërish grupi famëkeq “AlbKings”, që funksionon në rrjetin social “Telegram”, ku shpërndaheshin fotografi e numra të telefonave, me qëllim shqetësimin e ngacmimin seksual.
Nga kjo prokurori bëjnë me dije se raportimet janë bazuar në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, demanton lajmin i cili është duke qarkulluar në portalet vendore se është hapur përsëri grupi “Albkings”, pra ky lajm iu bëjmë me dije se i njëjti është i bazuar në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë, për çka iu kemi njoftuar përmes konferencës së mbajtur gjatë ditës së djeshme. Përmes këtij reagimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha mjeteve informuese të kenë parasysh vërtetësinë e lajmit para se të plasohet në opinionin publik, pasi lajme të tilla të pavërteta cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve tonë dhe kanë për qëllim ndikimi në imazhin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Prokuroria ka thënë se janë në monitorim të kësaj çështje dhe në qoftë se ka tendencë të hapjes së këtij grupi apo çfarëdo grupi tjetër të ngjashëm, prokuroria në koordinim me policinë do t’i ndërmerre masat e nevojshme.