Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton rreth personit të raportuar më 09 Janar 2024 si person i humbur, i cili është gjetur pa shenja jete më 26 Shkurt 2024.
Në datën e lartcekur, rreth orës 22:45 minuta, nën ashensorin e një objekti banesor në Gjilan është gjetur pa shenja jete tani i ndjeri M.H. (1958), në të cilin objekt i njëjti ka banuar.
Pas raportimit si person i humbur, dyshimet e para kanë qenë në drejtim të veprës penale ‘’Rrëmbimi’’, pasi i njëjti pas lirimit nga qendra e paraburgimit në Lipjan, më 09 Janar 2024, kishte pasur me vete 86,250 Franga zvicerane, prandaj Prokuroria Themelore në Gjilan, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve në drejtim të kësaj vepre penale dhe veprime të shumta hetimore.
Pas gjetjes së personit të zhdukur, në çantën e tij është gjetur edhe shuma e lartcekur e të hollave prej 86,250 Franga zvicerane, si dhe 350 Euro, tre telefona mobil dhe sende tjera personale.
Prokurori i shtetit ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë i të ndjerit të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Po ashtu janë angazhuar ekspertë nga fakulteti teknik, me qëllim të ekspertimit të funksionalitetit teknik të ashensorit, janë bërë urdhëresa për ekzaminimin e telefonave dhe janë ndërmarrë veprime tjera hetimore.
Lidhur me veprimet e tjera të mëtutjeshme do të jeni të njoftuar me kohë.