Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas një hetimi intensiv dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, ka ndaluar të pandehurin D.S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Detyrimi’’, nga neni 328 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Dyshohet se i njëjti që nga data 29 maj 2024, deri në momentin e arrestimit të tij, përmes kanosjes serioze, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka detyruar të dëmtuarin F.S., që ti jepte shuma të ndryshme të parave, ku bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit dyshohet se ka përfituar rreth 50,000 (pesëdhjetë mijë) euro nga i dëmtuari.
Me vendim të prokurorit i pandehuri D.S. gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh dhe brenda afatit ligjor ndaj tij do të ushtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.