Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar pas komenteve të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili tha se PSRK-ja duhet të jetë më efikase në ndjekjen e kriminelëve të luftës, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka thënë se komentet “e vazhdueshme” të Kurtit për punën e saj janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e gjyqësorit.
PSRK-ja i ka bërë thirrje kryeministrit dhe çdo zyrtari tjetër shtetëror që të shmang deklarimet publike të cilat, sipas saj, nuk përkojnë me gjendjen reale.
“Andaj, si të tilla e minojnë besimin e publikut në punën e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe të Prokurorisë Speciale në veçanti.
Për më tepër, kjo është bërë me kapacitete të pamjaftueshme të kuadrove, profesionale dhe financiare, si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm. KPK sjell në vëmendje të opinionit publik se në 20 vjetët e fundit, asnjëherë nuk është miratuar kërkesa buxhetore e plotë (në lartësinë 100% të kërkesës). Gjithashtu, korniza ligjore për hetimin e krimeve të luftës ka ndryshuar shumë në pesë vjetët e fundit. Ky ndryshim ka paraqitur sfidë për një proces efikas dhe efektiv në hetimin e krimeve të luftës. Këtë sfidë nuk e kanë shtetet e tjera në regjion. Shtetet si Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina kanë miratuar strategjitë nacionale në nivel të qeverive dhe parlamenteve të vendeve të tyre për adresimin e krimeve të luftës. Ne ende nuk e kemi një strategji të tillë në nivel nacional”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Sipas tyre, janë të regjistruara 60 aktakuza për krime të luftës për 56 raste, ndaj 165 personave.
“Po ashtu ju informojmë se ka përfunduar proceduara e avancimit të prokurorëve, nga ana e Këshillit Prokurorial dhe duke filluar nga data 1 qershor 2024, në Departamentin për Hetimin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale do të shtohen edhe dy (2) prokurorë, ku numri total i prokurorëve në këtë departament do të jetë pesë (5), të cilët do të merren ekskluzivisht me hetimin e krimeve të luftës”, vijon komunikata e PSRK-së.
Ndryshe, kryeministri Kurti përmes një postimi në Facebook tha se janë bërë pesë vjet kur institucioneve të drejtësisë i është mundësuar ndjekja penale në mungesë.
Pesë vjet sipas tij kanë kaluar pa rezultat.
“Janë bërë pesë vjet prej kur institucioneve tona të drejtësisë u është mundësuar ndjekja penale dhe gjykimi i kriminelëve të luftës edhe në mungesë të tyre. Pesë vjet nga politika shtetërore që sjellë mundësi më të shpejtë për drejtësi. Pesë vjet nga thirrjet e para për të shfrytëzuar aparaturën shtetërore në dispozicion për të ngritur aktakuza kundër kriminelëve e krimeve të tyre monstruoze kundër popullit tonë. Pesë vjet pa rezultat. 25 vjet pas luftës, pa drejtësi për viktimat”, tha ai.
Ai tha se “Prokuroria speciale duhet të jetë më aktive e efikase që të sjellë kriminelët para drejtësisë”.