Njësiti i Krimeve Ekonomike ka kryer sot bastisje në Ministrinë e Bujqësisë.
Në një komunikatë për media thuhet se bastisja është kryer pas raportimeve lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK e që tash është nën menaxhimin e Ministrisë.
Zyrtarët e MBPZHR-së dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
“Prishtinë, 20 mars 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 83 par. 1 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve të ngritura në opinionin publik për veprimet e disa zyrtarëve publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e Ministrisë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes. Zytarët publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dyshohen se me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale: “ Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, nga neni 414, të KPRK-së; “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, mediat raportuan se hetuesit e këtij njësiti kanë qëndruar në katin ku ndodhet Zyra e Prokurimit në objektin e kësaj Ministrie.
Bastisja u realizua disa orë pasi u raportua se Ministria Bujqësisë pagoi 66 mijë euro për largimin e mobilieve që nuk ekzistonin në objektin ku më parë e kishte pasur selinë AAK-ja, në Ulpianë.