Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, së bashku me prokurorët nga Departamenti për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar, z. Valdet Gashi, z. Fatos Ajvazi dhe z. Milot Krasniqi, priti të martën në një takim pune përfaqësuesit e lartë të Carabinierëve italianë nga Komanda Kundër Falsifikimit të Parave me seli në Romë, z. Gianluca Vitagliano dhe z. Pierluigi Ferri.
Gjatë takimit, i cili është zhvilluar në kuadër të programit “PERICLES”, u diskutua për angazhimin e ndërsjellë për të vazhduar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit transnacional, në veçanti të veprave penale që lidhen me falsifikimin e parave në valutën euro.
Kryeprokurori z. Blerim Isufaj shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që autoritetet italiane dhe Carabinierët në veçanti kanë ofruar për Prokurorinë Speciale.
Z. Gianluca Vitagliano dhe z. Pierluigi Ferri ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimin për të mbështetur Prokurorinë Speciale në luftën kundër krimit financiar dhe korrupsionit.