Sot u raportua se ministri i zgjedhur në krye të Infrastrukturës, Liburn Alilu ka aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë kohës sa ishte Drejtor në Komunën e Prishtinës.
Lidhur me këtë reagoi vetë Liburn Aliu i cili tha se një aktakuzë të tillë nuk e ka pranuar asnjëherë.
Por, këtë lajm e ka demantuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku përmes një njoftimi bëri të ditur se Aliu ka qenë i pajisur me aktakuzën.
Sipas Prokurorisë, thuhet se Prokurori i Shtetit më 17 prill të vitit 2019, ka marrë aktvendim për fillim të hetimit, me ç’rast i ka zhvilluar të gjitha hetimet lidhur me rastin dhe ka dëgjuar të gjithë të pandehurit veç e veç.
Sipas njoftimit thuhet se Aliu është dëgjuar nga Prokurori i Shtetit me datën 05.08.2019 dhe në bazë të provave e dëshmive të siguruara më 24 korrik të vitit 2020, ka ngritur aktakuzë për veprën penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin se më 23.04.2018, ka pranuar kallëzim penal ndaj personave me inicialet: L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., M.B., në atë kohë zyrtarë të komunës së Prishtinës, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i Shtetit, me datë 17.04.2019, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit, me ç’ rast i ka zhvilluar të gjitha hetimet lidhur me këtë rast, ka dëgjuar të gjithë të pandehurit veç e veç, (me datë 05.08.2019 është dëgjuar i pandehuri L.A) dhe në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara më 24.07.2020, ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të KPRK-së. Të njëjtën aktakuzë e ka proceduar në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë.
Pretendimet se i pandehuri L.A, nuk është pajisur me Aktakuzë nga ana e Prokurorisë, nuk qëndrojnë, sepse nëse i referohemi Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Aktakuza i paraqitet gjykatës kompetente në aq kopje sa ka të pandehur dhe mbrojtës të tyre dhe një kopje shtesë për gjykatën. Gjithashtu, gjykatës i dërgohet edhe lënda komplete e hetimit nga prokurori i shtetit, nga neni 242, paragrafi 1 i KPP-së.
Në momentin kur aktakuza dërgohet në gjykatë, e njëjta obligohet t’i pajisë palët në procedurë me aktakuzë. Gjatë shqyrtimit fillestar, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues i jep kopjen e aktakuzës të pandehurit apo të pandehurve, nëse ata nuk i kanë pranuar këto kopje të aktakuzës më parë, neni 245, paragrafi 2 i KPP-së, çka d.m.th. se me Aktakuzë palët i pajisë Gjykata kompetente.