Prokuroria Themelore në Prishtinë ka vërtetuar se trupi që ishte gjetur në Novobërdë në fund të muajit shtator është i biznesmenit Bedri Rexhepi nga Lipjani, i cili rezultonte i zhdukur nga prilli i vitit të kaluar.
Prokurori i këtij rasti, Armend Hamiti bëri të ditur se janë ngritur aktakuza ndaj dy të dyshuarve, përcjell teve1.info
“Prandaj pas hetimit, sigurimit të të gjitha provave, dyshimeve, kam arritur të vërtetoj dyshimet mirë të bazuara dhe kam ngrit aktakuzë ndaj dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu për veprën penale ‘Vrasja e rëndë në bashkëkryerje’ dhe ‘dëmtim i kufomave’”, tha ai.
Hamiti potencoi se në bazë të hetimeve, është vërtetuar se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, shuma prej 30 mijë euro, të cilat të akuzuarit kanë besuar se i ndjeri i posedon, e të cilin kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar.
Prokurori Hamiti njoftoi se zyrtarisht, trupi i të ndjerit është gjetur më 30 shtator të këtij viti, derisa për rastin janë dëgjuar mbi 30 dëshmitarë.
Bedri Rexhepi ishte zhdukur pasditen e 8 prillit 2021 dhe herën e fundit ishte parë në Novobërdë. /Teve1.info/