Prokurorja Dulina Hamiti ka thënë se aktakuza për korrupsion ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, Liburn Aliut dhe të tjerëve, është e bazuar në prova dhe dëshmi të mjaftueshme. Ajo gjithashtu tha se aktakuza është ngritur brenda afatit ligjor. Këtë deklarata ajo i ka dhënë në seancën e shqyrtimit të dytë, ku bashkë me Aliun, për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi, raporton “Betimi për Drejtësi”.Pasi të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, të njëjtat i ka kundërshtuar prokurorja Dulina Hamiti, duke kërkuar nga gjykata refuzimin e tyre si të pabazuara.Sipas saj, pretendimet e paraqitura nga ana e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre ishin tërësisht të paqëndrueshme dhe të pabazuara.Ajo tha se aktakuza është mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme e të pranueshme.“Kjo aktakuzë është ngritur konform dispozitave ligjore dhe brenda afatit ligjor, andaj i propozojmë gjykatës që të refuzoj si të pabazuara këto kërkesa të mbrojtjes dhe brenda afatit ligjor të caktohet shqyrtimit gjyqësor”, ka thënë prokurorja.Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Liburn Aliu ka thënë se aktakuza ishte ngritur pas afatit ligjor dhe se ndaj Aliut nuk ka pasur kallëzim penal nga policia, por vetëm nga i dëmtuari Dan Imeri.Ndërsa i akuzuari Aliu ka thënë se refuzimi i kërkesës për ndërtim individual ishte bërë pasi në atë vend ishte paraparë ndërtimi i shkollës, çerdhes dhe ambulantes.“Refuzimi i kërkesës së Dan Imerit dhe të tjerëve është se Dan Imeri ka kërkuar ndërtim individual të banimit ndërsa me planin rregullues urban Prishtina e Re – Zona perëndim, parashihet shkollë, ambulancë dhe çerdhe”, ka deklaruar Aliu.Ai ka thënë se me planin rregullues urban të miratuar më 2 tetor 2013, që i bie pas planit zhvillimor të miratuar më 24 shtator 2013, çfarëdo dokumenti i planifikimit hapësinor i nivelit lokal i nënshtrohet tri herë vendimeve të Kuvendit Komunal në tri mbledhje të ndryshme për cilindo dokument.Avokati Arbër Istrefi, mbrojtës i të akuzuarit Ardian Olluri, ka thënë se aktakuza e ngritur ndaj të mbrojturit të tij e ka vënë interesin individual mbi atë të përgjithshëm.Sipas tij, prokuroria në njërën anë e akuzon të mbrojturin e tij se nuk e kishte zbatuar planin zhvillimor urbanistik, ndërsa në anën tjetër propozon si provë vendimin mbi miratimin e planit rregullativ urban, i 2 tetorit 2013, duke mos e mohuar se ekziston ky plan. Por sipas avokatit, ajo ishte bazuar në një vendim të MMPH-së, i cili vendim nuk ishte as përfundimtar.Se ky vendim nuk është përfundimtar, sipas avokatit Istrefi, e ka vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ, kur kishte vendosur lidhur me padinë e Komunës së Prishtinës për anulimin e vendimit të MMPH-së, me të cilin aktvendim gjykata me 3 gusht 2018 e kishte hedhur poshtë padinë si të palejuar, pasi sipas gjykatës, vendimi i atakuar nuk ishte vendim përfundimtar.“Nuk ekziston asnjë element i cili të mbrojturin tim e vërteton se ka shkaktuar inkriminim të veprave penale, pasi që i njëjti ka zbatuar planet e lartëtheksuara dhe po ashtu bashkryerja në rastin konkret nuk ekziston, sepse të gjithë të pandehurit janë profesionist të fushës, janë të pavarur në vendimet e tyre dhe të gjithë janë të vetëdijshëm se veprimi në kundërshtim me vendimet e kuvendit komunal, në kundërshtim me planin rregullues, në kundërshtim edhe me vendimet e Kryetarit të Komunës, përbëjnë vepër penale”, ka thënë avokati.I njëjti i ka propozuar gjykatës që këtë aktakuzë ta hedhë poshtë në tërësi dhe të mbrojturin e tij ta lirojë nga ndjekja penale.Ndërsa i akuzuari Ardian Olluri ka thënë se të gjitha kërkesat dhe lejet ndërtimore ishin zbatuar në bazë të planit rregullues urbanistik. Sipas tij, nëse kishin vepruar ashtu siç pretendon prokuroria, atëherë do të kishin shkelë edhe parimet e ligjshmërisë dhe diskriminimit, duke i shkaktuar dëm edhe komunës dhe qytetarëve, sepse do ta kishin lënë atë zonë pa shëndetësi dhe pa shkollë.Se aktakuza ishte ngritur jashtë afatit ligjor, më konkretisht dy muaj pas afatit, e ka thënë mbrojtësi i Zejnulla Rexhepit, avokati Behar Ejupi.Sipas tij, prokuroria kishte propozuar që të administrohet një provë “projekti të cilin e ka punuar për lagjen Prishtina e re i pandehuri Zejnulla Rexhepi”, që sipas avokatit, ky projekt ka të bëjë me asfaltimin e rrugës e jo me atë që pretendon prokuroria, pasi sipas tij, ishte i bindur se kjo provë nuk ekziston.“Jam i bindur se kjo provë nuk ekziston dhe mbi bazën e kësaj prove i mbrojturi im është ulur në bankën e të akuzuarve”, ka thënë avokati Ejupi, duke shtuar se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk kishte punuar projekt për lagjen “Prishtina e re”.Mbrojtësi i Nazife Krasniqit, avokati Jeton Maqedonci ka thënë se e mbrojtura e tij kishte vepruar konform ligjit dhe rregulloreve dhe asnjëherë nuk kishte vepruar për interesa personale, prandaj sipas tij, gjykata duhet të hedhë këtë aktakuzë.Aktin akuzues e ka kundërshtuar edhe mbrojtësi i Bahtie Ukës, avokati Destan Rukiqi. Sipas tij, prokuroria e kishte propozuar që të administrohet si provë një CD e paraqitur nga pala e dëmtuar, në të cilën janë deklarata të Liburn Aliut dhe njëra e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit.Sipas tij, një deklaratë e të pandehurve e dhënë jashtë procesit hetimor nuk duhet të merret si provë, prandaj dhe tha se kjo provë duhet të shpallet e papranueshme, ndërsa nëse vendoset që të shkohet në shqyrtim gjyqësor, avokati tha se në cilësinë e dëshmitarit duhet të dëgjohet Shpend Ahmeti.Aktakuzën e prokurorisë e ka kundërshtuar edhe mbrojtësi i Mimoza Berisha- Prestreshit, avokati Florin Vërtopi. Ai ka thënë se kallëzimi penal në emër të të gjithë të dëmtuarve e ka nënshkruar pa autorizim Dan Imeri.Avokati Vërtopi ka deklaruar se mbi këtë bazë prokuroria ishte dashur që menjëherë të hedhë këtë kallëzim penal, e jo të fillojë hetimet, raporton “Betimi për Drejtësi”.“Nëse nuk hudhet aktakuza këta të akuzuar mund të pësojnë dëme shumë të mëdha. I propozojmë gjykatës për shkak se në shkresa të lëndës ka prova që nuk janë trajtuar fare nga prokuroria, e që janë bazament për hudhjen e akuzës, atëherë me këtë rast duhet aktakuza t’i kthehet prokurorisë duke ia dhënë një afat të caktuar që ti’ trajtojë të gjitha provat”, ka thënë avokati Vërtopi.Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi i ka njoftuar palët se lidhur me këto kërkesa do të vendoset me vendim të veçantë.Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që të iu shkaktohet dëm të dëmtuarve, të pandehurit e lartcekur e kanë refuzuar si të pabazë kërkesën për lejimin e kushteve ndërtimore të të dëmtuarve Dan Imeri, Robert Biblekaj, Valon Kozmaqi, Albert Munipi, Bujar Xërrxa, Argjend Haziraj, Shaqir Arapi, Arben Qosaj, Denis Nushi, Drita Berisha, Mirushe Latifaj, Naser Salihu, Gazmend Luboteni, Bekim Bojku, Mimoza Fejzullahu, Drita Bektashi, Hajriz Smakiq, Milivoje Zlatibor Llekiç nga Prishtina për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale të banimit, në kuadër të bllokut Urban ‘‘I-1’’ dhe ‘‘I-2’’ të tërësisë hapësinore ‘‘I’’ të planit rregullues Prishtina e Re Zona Perëndim për parcelat kadastrale me nr.413-3, 413-5, 413-6, 413-7, 413-8, 413-9, 413-10, 413-11, 413-12, 413-12, 413-13, 413-14, 413-15, 413-16, 413-17, 413-18, 413-19, 413-21, 413-22, 413-23, 413-24, 413-25, 413-26, 413-27, 413-28, 413-29, 413-31, 413-32, 413-33, 413-34, raporton “Betimi për Drejtësi”.Sipas kësaj aktakuze, të pandehurit Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi edhe përkundër se për të njëjtën lëndë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nxjerrë Vendimin me nr.A-231/2017 të datës 06.09.2017 ku kishte aprovuar si të bazuar Ankesën e Dan Imeri, nga Prishtina dhe kishte shfuqizuar Vendimin 05.nr.351-290419 të datës 21.06.2017 i Drejtorisë së Urbanizmit Komuna e Prishtinës, ku kishte obliguar Drejtorinë e Urbanizmit Komuna e Prishtinës që të zbatoj dispozitat e planit zhvillimor Urban nr.01-035-181427, datës 24.09.2013 si dhe dispozitat e nenit 18 të Ligjit Nr.041/L-110 për Ndërtim, të pandehurit e lartcekur Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi nxjerrin vendimin me nr.05 nr. 350-290419 të datës 07.05.2018, me të cilin vendim, me qëllim që të iu shkaktojnë dëm të dëmtuarve, e refuzojnë kërkesën e të dëmtuarve – pronarëve Dan Imeri, Robert Biblekaj, Valon Kozmaqi, Albert Munipi, Bujar Xërrxa, Argjend Haziraj, Shaqir Arapi, Arben Qosaj, Denis Nushi, Drita Berisha, Mirushe Latifaj, Naser Salihu, Gazmend Luboteni, Bekim Bojku, Mimoza Fejzullahu, Drita Bektashi, Hajriz Smakiq, Milivoje Zlatibor Llekiç nga Prishtina për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale të banimit, në kuadër të bllokut Urban ‘‘I-1’’ dhe ‘‘I-2’’ të tërësisë hapësinore “I’’ të planit rregullues Prishtina e Re Zona Perëndim për parcelat kadastrale të lartcekura me nr. 413-3, 413-5, 413-6, 413-7, 413-8, 413-9, 413-10, 413-11, 413-12, 413-12, 413-13, 413-14, 413-15, 413-16, 413-17, 413-18, 413- 19, 413-21, 413-22, 413-23, 413-24, 413-25, 413-26, 413-27, 413-28, 413-29, 413-31, 413-32, 413-33, 413-34, me ç’rast të dëmtuarve të lartcekur iu kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par lidhur me nenin 31 të KPRK-së.Në pikën e dytë të kësaj aktakuze, Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi po akuzohen edhe se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës nuk kanë zbatuar vendimin nr. A-231/2017 të datës 06.09.2017 të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë A.Nr.1827/17 të datës 08.11.2017, dhe të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin A.nr 514/2017 të datës 30.11.2017 të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me të cilët Aktvendime refuzohet i pabazuar propozimi i paditësit Komuna e Prishtinës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit me numër A-231/17 të datës 06.09.2017, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.Prokuroria pretendon se edhe përkundër këtyre vendimeve të pandehurit e lartcekur prapë kanë filluar të trajtojnë lëndën që nga fillimi që ka të bëj me caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale në Prishtinë në parcelat kadastrale nr.413-3, 413-5, 413- 6, 413-7, 413-8, 413-9, 413-10, 413-11, 413-12, 413-12, 413-13, 413-14, 413-15, 413-16, 413-17, 413-18, 413-19, 413-21, 413-22, 413-23, 413-24, 413-25, 413- 26, 413-27, 413-28, 413-29, 413-31, 413-32, 413-33, 413-34, me ç’rast të dëmtuarve Dan Imeri, Robert Biblekaj, Valon Kozmaqi, Albert Munipi, Bujar Xërrxa, Argjend Haziraj, Shaqir Arapi, Arben Qosaj, Denis Nushi, Drita Berisha, Mirushe Latifaj, Naser Salihu, Gazmend Luboteni, Bekim Bojku, Mimoza Fejzullahu, Drita Bektashi, Hajriz Smakiq, Milivoje Zlatibor Llekiç nga Prishtina, iu kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material, raporton “Betimi për Drejtësi”.Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore, nga neni 402 par 2 lidhur me par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.Lidhur me pretendimet e përfshira në këtë aktakuzë, “Betimi për Drejtësi” ka provuar që para publikimit të këtij lajmi të marrë një qëndrim nga ministri Liburn Aliu, por i njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve.Ndryshe, Qeveria Kurti 2, në të cilën Aliu ka marrë pozitën e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është votuar më 22 mars 2021 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. /BetimipërDrejtësi
Prokurorja thotë se aktakuza për korrupsion ndaj Liburn Aliut e të tjerëve ka prova të mjaftueshme dhe është ngritur brenda afatit ligjor
Ndani këtë artikull