Aksionarët e rinj të klubit, të udhëhequr nga presidenti ztr. Afrim Veliu janë pritur në takim nga i pari i komunës ztr. Alban Hyseni.
Ztr. Veliu e ka falenderuar kryetarin Hyseni për mikëpritjen dhe gatishmërinë e bashkëpunimit në interes të klubit dhe gjithë komunitetit që bashkohen nga ngjyrat kuq & bardh.
“Së pari shfrytëzoj rastin të ju falenderoj për mikëpritjen dhe gatishmërinë e shfaqur për të qenë në shërbim të një grupi investitorëve, të cilët rikthehen në vendin e tyre të lindjes për të qenë në shërbim të komunitetit të futbollit, tashmë si aksionar të ri të Sport Club Gjilani. Kemi marrë një rrugëtim të ri, pavarësisht sfidave të cilat na presin, me qëllimin e vetëm, ta rikthejmë klubin në binaret e duhura dhe t’u rikthejmë tifozëve entuziasmin e munguar. Mbështetja institucionale është jetike në aspektin infrastrukturor dhe jo vetëm. Së bashku mund të konkretizojmë gjëra të mëdha për futbollin dhe gjithë komunitetin përcjellës”, tha në fjalën e presidenti Veliu.
Ndërkohë, i pari i qytetit, ztr. Alban Hyseni, përveçse u uroi mirëseardhje aksionarëve të rinj të klubit, ofroi gjithashtu mbështetje dhe bashkëpunim në të gjitha sferat.
“Me kënaqësinë më të madhe gjendem dhe jam në dispozicionin tuaj dhe jo vetëm, por të të gjithë investitorëve potencial të cilët janë të gatshëm të vijnë dhe të kontribojnë në ngritjen e klubeve sportive të qytetit. Si i pari i komunës jam mirënjohës që keni gjetur forcat për t’u bashkuar dhe për të marrë drejtimin e klubit. Mund të ju konfirmoj që projekti final për rindërtimin e stadiumit të qytetit ka përfunduar dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore pritet të tenderohet dhe të nisin punimet për finalizimin e tyre. Synojmë që brenda mandatit të kryhen të gjitha punimet. Po ashtu, jemi duke punuar për ta zgjidhur çështjen e stadiumit ndihmës të klubit tuaj sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë që klubi të ketë edhe një shtëpi të ri, e cila i takon sipas projektit të paraparë të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe MKRS-së”, potencoi Hyseni.
Aksionarët e tjerë të klubit, Fatlum Pireva, Qëndrim Demiri, Valmir Emini dhe Shaban Bajrami po ashtu falenderuan kryetarin Hyseni për mikëpritjen dhe ftuan të jetë në dispozicion për bashkëpunim.