Me urdhër të prokurorisë, ditë më parë janë ngrirë për 72 orë xhirollogaritë bankare të pronarëve të lojërave të fatit. Ndërsa nga dje ngrirja e xhirollogarive të tyre është vazhduar edhe për 30 ditë.
Pronarët e lojërave të fatit nga ky muaj nuk kanë mundësi të kryejnë asnjë shërbim bankar, sepse llogaritë e tyre private dhe biznesore janë bllokuar për 30 ditë. Këtë e ka konfirmuar për Express kryetari i shoqatës së lojërave të fatit, Istref Veliu.
“Llogaritë janë bllokuar për 30 ditë, këtë e kemi mësuar nga banka”, tha Veliu.
Veliu dhe pronarët e lojërave të fatit kanë thënë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse pse po vazhdojnë të penalizohen.
Ndryshe, Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar projektligjin që ndalon të gjitha lojërat e fatit në territorin e Kosovës. ATK-ja ka mbyllur qindra lojëra të fatit deri më tani në gjithë vendin, si dhe ka bërë konfiskimin e aparateve të shumta që ndodheshin nëpër këto lokale.
Kjo situatë ka ardhur për shkak se së fundmi në lokalet e lojërave të fatit u u vranë nga arma e zjarrit dy të rinj. Jetmir Aliaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje të dielën e 17 marsit në një lokal të lojërave të fatit në Suharekë. Tri ditë më vonë, më 20 mars, Florent Ahmetaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda një kazinoje në Lipjan.