Parlamenti i Spanjës ka hedhur poshtë propozimin e ‘Junts’ për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Siç raporton europapress, Nisma për të cilën është debatuar të martën në parlamentin e Spanjës, s’ka gjetur përkrahje te partitë PSOE, PP dhe Vox, ndërsa “Sumar” ka abstenuar.
Deputetja e PSOE gjatë debatit të martën kishte deklaruar se pozicioni i Spanjës për mosnjohjen e Kosovës dihet dhe mbetet i pandryshueshëm.
“Refuzimi i Spanjës për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga lufta në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po e përjeton me ankth të veçantë”, thanë nga “Junts” në memorandumin shpjegues.
Sipas kësaj partie “nuk është e pranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, veçanërisht kur, sipas nismës, në të cilën “Europa Press” kishte qasje, “Spanja tashmë ka marrëdhënie indirekte me Kosovën” dhe që nga janari i kaluar “Qeveria është detyruar të njohë pasaportat kosovare pasi Kosova i është bashkuar regjimit të përjashtimit për vizën për qëndrim të shkurtër në zonën Schengen”.
Për të gjitha këto arsye, “Junts” konsideron se “në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës në mbrojtje të së drejtës së tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe duhet të vazhdojë me njohjen e menjëhershme të Republikën e Kosovës”.
Në këtë kuptim, teksti propozon që Kongresi duhet të nxisë “Qeverinë ta njohë Republikën e Kosovës si shtet sovran”.