Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka propozuar që dy prokurorë të tjerë të Prokurorive Themelore, Ikramije Bojaxhiu dhe Arben Ismajli të avancohen në Prokurorinë e Apelit. Një deklarim të tillë kryeprokurori Lumezi e ka bërë të martën në takimin e 202-të të cilin Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka mbajtur online.“Propozoj që prokurorët Ikramije Bojaxhiu dhe Arben Ismajli të avancohen nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë njëra dhe tjetri në Gjilan në Prokurorinë e Apelit të Kosovës. Prokurori Arben Ismajli të avancohet në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Prokurorisë së Apelit të Kosovës”, deklaroi Lumezi.Lumezi njoftoi se për këta dy kandidatë, Bojaxhiun dhe Ismajlin, kishte pranuar opinionin nga Agjencia Kundër Korrupsion, ku theksohej se të njëjtit nuk kishin rënë ndesh me dispozitat e ligjit për konflikt të interesit.“Ndërkohë e kemi marrë opinionin nga Agjencioni Kundër Korrupsion i cili thekson se këta dy ish-anëtarë të këshillit që kanë konkuruar për pozitën e prokurorit në Prokurorinë e Apelit të Kosovës nuk kanë ra ndesh me dispozitat e ligjit për konfliktit të interesit”, theksoi Lumezi.Lumezi ka njoftuar se katër kandidatë gjithsej i kishin plotësuar kushtet për avancim në Prokurori të Apelit, proces ky që sipas tij, kishte filluar në mars të këtij viti.Sipas Lumezit, në mbledhjen e kaluar ata kishin vendosur që dy prokurorë të avancohen në Prokurorinë e Apelit, ndërsa për dy të tjerë, Bojaxhiun dhe Ismajlin, nuk ishte vendosur marrë parasysh kërkesën drejtuar Agjencisë Kundër Korrupsion, për konflikt të interesit për këta dy ish-anëtarë të KPK-së.“Në mbledhjen e kaluar kemi vendosur lidhur me kundërshtimet për avancim nga dy prokuroret dhe i kemi refuzuar ato, faktikisht kemi pru vendim që dy prokuror nga katër të avancohen në Prokurorinë e Apelit. Ndërsa, për dy prokurorë të tjerë faktikisht për Ikramije Bojaxhiu dhe Arben Ismajli nuk kemi vendosur duke marrë parasysh që kemi një kërkesë në Agjencinë kundër Korrupsion lidhur me konfliktin e interesit të dy anëtarëve të këshillit të cilët kanë votuar në kuadër të këshillit deri në fund të vitit 2020 dhe më pas kanë konkurruar për avancim në Prokurorinë e Apelit”, ka thënë Lumezi.Betimi për Drejtësi kishte raportuar se prokuroret Asllani dhe Sadikaj kanë dërguar në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) kundërshtimet e tyre ndaj raportit përfundimtar të Komisionit për Avancim dhe Transferim të Prokurorëve të Shtetit (Komisioni), duke kërkuar që konkursi për avancim të prokurorëve në Prokurorinë e Apelit të ri-shpallet.Kundërshtimin e tyre, prokuroret Shemsije Asllani dhe Fitore Sadikaj e bazonin në atë se këto avancime janë duke u tentuar të bëhen në mënyrë kundërligjore dhe në konflikt të interesit, raporton “Betimi për Drejtësi”.Gjatë kësaj mbledhje, anëtari i KPK-së, Agron Beka, para anëtarëve të Këshillit ka prezantuar Raportin e Komisionit përzgjedhës për pozitën e Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë, me ç’rast ka njoftuar anëtarët e Këshillit se ky Komision ka vendosur në mënyrë unanime që të anulohet procesi për zgjedhjen e Drejtorit të NJSHPP-së deri në nxjerrjen e një rregulloreje të re.Ky raport për zgjedhjen e Drejtorit të NJSHPP-së është miratuar më pas nga këshilli në mënyrë unanime.Po në këtë takim, Këshilli ka aprovuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit Arben Kadriu për shpalljen e brendshme për avancim të dy pozitave në Departamentin për Krime të Rënda.Maloku ka njoftuar se shpallja do të jetë e hapur nga data 30 gusht deri më 13 shtator 2021 dhe se obligohet Komisioni për Transferim dhe Avancim të prokurorëve të ndërmerr të gjitha veprimet e përcaktuara me rregullore.Gjatë këtij takimi, KPK ka aprovuar edhe Raportin gjashtëmujor të mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për veprat penale karakteristike për periudhën janar-qershor 2021.Këtë raport shkurtimisht e ka prezantuar në këtë mbledhje ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës Valdrin Krasniqi.Krasniqi ka njoftuar se gjatë këtij gjashtë mujori, prokuroritë kanë pasur në punë 3,067 raste me 5,206 persona, se lidhur me këto raste ishte nxjerrë 878 vendime nga prokurorët, prej të cilave 147 kanë qenë kërkesa për caktim paraburgimi.Më pas, Krasniqi tha se lidhur me rastet e proceduara gjatë kësaj periudhe raportuese, gjykatat kanë nxjerrë 351 vendime, prej të cilave 312 të akuzuar ishin shpallur fajtor, ndërsa 24 ishin liruar.
Ai tha se nga 33 ankesa të ushtruara nga prokuroritë ndaj këtyre vendimeve, vetëm dy prej tyre ishin aprovuar.Pas elaborimit të raportit nga Krasniqi, kryesuesi Maloku deklaroi se këto statistika dëshmojnë se prokuroritë kanë pasur sukses, e se një sukses i tillë matet me aktakuzat e ngritura e të vërtetuara.
Sa i përket shpalljes së mundshme të pozitave për avancim në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Valdrin Krasniqi njoftoi janë në proces të hartimit të një analize, ku do të trajtohet saktë kjo çështje, bazuar në ngarkesën me lëndë dhe mundësitë buxhetore./BetimipërDrejtësi