Të paktën shtatë persona kanë vdekur në protestat në Iran, të nxitura nga përkeqësimi i kushteve ekonomike, përfshirë civilë dhe forca të sigurisë.
Protestat janë më të mëdhatë në Iran që nga viti 2022, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini gjatë mbajtjes nga policia. Megjithatë, protestat aktuale nuk janë aq intensive dhe gjithëkombëtare sa ato për Aminin.
Ngjarjet më të dhunshme u shënuan në qytetin Azna, ku u shpërndanë video që tregonin objekte në flakë në rrugë dhe dëgjoheshin të shtëna armësh, raporton AP.
Protestat nisën më 28 dhjetor në Teheran, pas kolapsimit të kursit të këmbimit të monedhës kombëtare kundrejt dollarit amerikan dhe rritjes së inflacionit në 52 për qind. Më pas, protestat u përhapën në disa rajone të tjera të vendit.
Gjatë ditës, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi autoritetet e Iranit se Washingtoni do të intervenojë nëse protestuesit vriten.
Në përgjigje, një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se “duhet të jetë i kujdesshëm”. Sipas tij, po që se Trumpi intervenon, do të shkaktohej kaos në të gjithë Lindjen e Mesme.

